Në atmosferën e Krishtlindjes në fshatin Hajmel në Shkodër është rikrijuar qyteti i Betlehemit dhe skena e lindjes së Jezu Krishtit. Sivjet ai përkoi me 800 vjetorin e organizimit për herë të parë nga Shën Francesku.
Janë pamje që na kthejnë pas në kohë, në një ngjarje që ndryshoi historinë e botës.
Banorë të të gjitha moshave të asistuar nga freterit Kapuçin, u bënë bashkë që të rikrijojnë atmosferën dhe ngjarjet bazuar në shkrimin e shenjtë.
Brenda kësaj hapësire përjetohen të gjitha dhe atmosfera është unike.
Mbi 300 është numri i figurantëve të këtij “Betlehemi të gjallë”, që organizohet prej 5 vitesh. I gjithë rrugëtimi i Marias deri në momentin e ardhjes në jetë të shpëtimtarit për besimtarët e krishterë.
Vizitorët e këtij organizimi të vecantë janë nga e gjithë Shqipëria e madje edhe emigrantë apo shqiptarë të Kosovës.
Lindja e Krishtit përjetohet në mënyra të ndryshme, por kjo mbetet ndër më të veçantat dhe origjinalet. Betlehemi i gjallë do të organizohet edhe në datën 30 dhjetor dhe 1 janar.






