Reshjet e dëborës kanë pushuar, duke ja lënë vendin ngricave në 24 orët e fundit. Në territoret e bashkive Shkodër dhe Malësi e Madhe akset nacionale janë të gjitha të kalueshme, por autoriteti rrugor shqiptar apelon që të tregohet kujdes kur udhëtohet drejt zonave turistike të Vermoshit dhe Thethit. Në këto akse po kryhet kriposja, për të shmangur aksidentet rrugore që mund të sjellin ngricat në rrugë. Më shqetësuese gjendja paraqitet sipas newspower.al në bashkitë Pukë dhe Fushë Arrëz, ku reshjet e shiut dhe dëborës në këto orë kanë lënë pas pasoja. Mbi 200 rrugë rurale që lidhin fshatrat e njësive Iballë, Berishë dhe Mërtur janë të bllokuara, duke mbajtur të izoluar banorët. Erat e forta kanë dëmtuar edhe disa shtëpi banimi, ku grupi i emergjencave të bashkisë Fushë Arrëz po kryen verifikimet në terren raporton newspower.al. Shqetësimi më i madh në këto 3 ditët e fundit në të gjithë qarkun Shkodër ka qënë furnizimi me energji elektrike, pasi rrjeti i amortizuar ka pësuar dëmtime si pasojë e stuhive dhe aktualisht janë qindra familje në errësire. Fushë Arrëzi, një pjesë e njësive në Vau Dejës, Velipoja dhe rrethinat e Shkodrës janë pa drita. Megjithëse OSHEE ka njoftuar se po punohet në terren, situata mbetet e vështirë pasi dëmet janë të shumta dhe në zonat malore ndërhyrja është më komplekse për shkak të temperaturave të ulëta.






