“Pikëtakime kulturore në arealin Ballkanik” ishte konferenca shkencore që bëri bashkë 3 universitete, atë të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit dhe Filologjikun e Universitetit të Tetovës. Pedagogë dhe studiues të këtyre institucioneve arsimore folën për rëndësinë që ka promovimi i gjuhës shqipe dhe nxitja për t’u përballur me sfidat aktuale të botës akademike.
Gjatë shekujve shqiptarët kanë derdhur gjak jo vetëm për çlirimin e vendit por edhe për të fituar disa të drejta themelore. E mes tyre nuk bën përjashtim as “lufta” për t’u arsimuar në gjuhën shqipe, apo për të patur një shkollë, universitet e katedër të tyre. Rasti më tipik është ai i Tetovës në Maqedoni të Veriut.
Por shëmbulli më atipik është ai i katedrës së gjuhës shqipe në universitetin e Beogradit në Serbi, që përgjatë 1 shekulli ka kaluar një kalvar të gjatë sfidash, që kanë reflektuar më së miri marrëdheniet e tensionuara mes dy vendeve tona. Shteti shqiptar është pak prezent me mbështetjen ndaj kësaj katedre, e cila vitet e fundit si shumë universitete, po vuan rënien e numrit të studentëve.
Dy sesionet shkencore me diskutime të larmishme, janë sinjali i një rruge të re bashkëpunimi në fushën e dijes mes shqiptarëve në rajon, që edhe pse të ndarë në shtete të ndryshme, mund të jenë faktor i rëndësishëm në Ballkan.






