Kryeministri Edi Rama ka inspektuar sot punimet në kantierin e ballinës ujore në hyrje të Shkodrës. Gjatë inspektimit Rama ka qenë i shoqëruar nga ministrja Elisa Spiropali e cila është deputete në këtë qark dhe nga kryebashkiaku Benet Beci. Kreu i ekzekutivit i kërkoi drejtuesit të punimeve që të ketë më shumë ritëm duke u shprehur se shkodranët nuk kanë më durim për vepra të tilla.
“Ritëm, ritëm se shkodranët nuk kanë më durim se kemi dhe koston e pritjes së gjatë të pritjes nga demokracia.”- tha Rama. Ndërsa për kryebashkiakun Benet Beci kërkesa e Ramës ishte që të zgjidhë problemin e hyrjes së qytetit, për të ndërtuar diçka të denjë për kryeqendrën e veriut. Ai u shpreh se Shkodra është i vetmi qytet me një potencial kaq të madh dhe ndërkohë nuk ka hyrje si qytetet e tjera të zhvilluara. “Është e rëndësishme të kuptohet kjo gjë. Shkodra është i vetmi qytet me një potencial kaq të madh dhe njëkohësisht nuk ka hyrje. Duket si një shteg aty”- shtoi Rama.
Investimi parashikon krijimin e mjediseve sportive, pistë për biçikleta, pika panoramike mbi liqen, hapësira për aktivitete, një mol të ri që do të plotësojë rrjetin e moleve me ato të Shirokës e Zogajt, si dhe një muze të bukur për historikun e lundrimit në liqen e në lumin Buna.
Kryebashkiaku Beci e cilësoi projektin si të shumëpritur nga qytetarët e Shkodrës. “Është një nga projektet më të mirëpritura dhe që askush nuk e ka pritur që do ta fillojmë kaq shpejt. Këtu kemi pjesën e projektit pastaj nga ura mund të shikojmë edhe fillimin e kantierit që është pjesa e molit. Kemi një projekt për pjesën e kalasë që zhvillohet në gjithë pjesën e kalasë dhe gjithë pjesën tjetër. Është një projekt i veçantë, rikualifikimi dhe lidhja e gjithë parkut me kalanë dhe tre pika të tjera siç është xhamia e Plumbit dhe Kisha e Zonjës. Këtu do kemi një urë dhe do ketë mundësi që të aksesohet kalaja dhe të treja këto. E gjitha bëhet si pol turistik dhe për fëmijët kemi lodra, mundësi argëtimi. Ky bëhet edhe për tu vizituar edhe ekonomikisht për Shkodrën dhe vlera e pronës do të ndikojë shumë”, – u shpreh kreu i bashkisë së Shkodrës.






