Shefi i Sektorit të Shërbimeve të Kufirit dhe Emigracionit në Korçëm Stiljan Pasho është arrestuar nga Agjencia për Mbikëqyrjen Policore nën dyshimin për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike. Lajmin e ka bërë me dije ministri i Brendshëm Taulant Balla nëpërmjet një reagimi të bërë në pak minuta më parë. “Kur unë mora detyrën u shpreha se një rrënjë kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur. Sapo është ndaluar nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore një Kryekomisar, me detyrë Shefi i Sektorit te Sherbimeve te Kufirit ne Drejtorine Vendore te Kufirit dhe Migracionit Korçë, i dyshuar për pëfshirje në “Trafikim të narkotikëve”. Përgëzoj Agjensinë e Mbikqyrjes Policore për dokumentimin e plotë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Korçë. Shpreh besimin se drejtimi i ri AMP dhe forcimi i bashkëpunimit me agjencive e tjera ligjzbatuese si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK do ta intensifikojnë procesin e vetë-pastrimit të Policisë së Shtetit”- shkruan Balla.
Njoftimi AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Korcë-Elbasan) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës Së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për ndalimin e punonjësit të policisë Kryekomisar S. P., 53 vjec, me detyrë Shef i Sektorit të Kufirit pranë DVKM Korçë.
Ndalimi i tij u krye kuadër të hetimeve të Procedimit Penal të vitit 2023, referuar nga Sektori i AMP Korçë, regjistruar per veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve“
Nga veprimet hetimore të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës Së Shkallës Së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, rezulton e provuar se Kryekomisar Stilian. Pasho., me veprime konkrete dhe të drejtpërdrejta, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në DVKM Korçë, në intervale të ndryshme kohore dhe në datë 27.11.2023 ka favorizuar shtetasin L.L. të kalojë kufirin në PKK Kashticë pa ju nënshtruar kontrollit kufitar në automjetin e tij, si dhe duke urdhëruar vartesit e tij për mos kryerjen e kontrollit në mjetin e këtij shtetasi.
Në lidhje me këtë procedim penal është bashkëpunuar ngushtësisht edhe me homologët e policisë Greke nëpërmjet Pikës së Bashkëpunimit Policor Greqi–Shqipëri, ku si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë e mundur kapja e 26 kg lëndë narkotike në shtetin Grek.






