Simbolet komuniste në festimet e 29 Nëntorit dhe deklaratat se në 45 vite të diktaturës nuk ka patur krime ndaj shqiptarëve, kanë indinjuar shoqatat e ish të përndjekurve politik. Këto të fundit dolën në një deklaratë të përbashkët, ku kërkojnë që shteti shqiptar të hartojë një ligj për t’i dhënë fund përdorimit të simboleve komuniste dhe lartësimit të figurës së diktatorit Enver Hoxha.
Filip Guraziu dhe Gjekë Beçi janë dy të përndjekur politik që vetë ata dhe familja e tyre ka përjetuar tmerrin e krimeve të komunizmit.
Nuk kërkojnë hakmarrje por dënim të krimeve të komunizmit dhe dhënien fund të lartësimit të asaj periudhe. Guraziu thotë se nderon të rënët në luftën për çlirimin e Shqipërisë, por jo atë që ndodhi pas largimit të pushtuesve, pasi vendi njohu një pushtim të ri nga komunistët.
Çdo vit në përkujtimin e 29 nëntorit, ditës së çlirimit të Shqipërisë, në festimet e kësaj date nuk mungojnë ithtarët e regjimit që me simbole komuniste dhe portretin e diktatorit Enver Hoxha shfaqen në publik, duke lartësuar figurën e tij. Shqipëria ende nuk ka një ligj që t’i ndalojë këto skena, sic kanë bërë shumë shtete të europës lindore.






