Diplomacia ndërkombëtare është e shqetësuar për kaosin e krijuar nga opozita në Kuvend, ku në seancën e fundit u ndez edhe flakë, tymuese e u përmbysën karriget. Ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë thotë se parlamenti funksional është shtyllë qendrore në procesin për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Delegacioni i BE bën thirrje për dialog konstruktiv në interes të qytetarëve. “Pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin e Shqipërisë, Bashkimi Evropian rikujton se një Parlament funksional që ushtron një rol efektiv mbikëqyrës dhe legjislativ është një shtyllë qendrore e procesit të anëtarësimit në BE. Dialogu politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në parlament është shumë i rëndësishëm dhe në interes të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagimin e BE.
Edhe ambasada e SHBA dhe e Britanisë së Madhe i bënë një ditë më parë thirrje palëve politike të ulen në dialog. Për diplomacinë amerikane në vendin tonë, mosfunksionimi normal i Kuvendit, është në dëm të vendit.
Të hënën (20 nëntor), ishte Gazment Bardhi që në një letër drejtuar Kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe trupës diplomatike në vend e quajti miniaturë të Kim Jong Un parlamentin dhe akuzoi se Garda e Republikës ka zaptuar sallën plenare në intimidim të deputetëve të opozitës. Kuvendi miratoi buxhetin e shtetit mes flakëve, në një seancë të shkurtër, pas kaosit që grupimi i deputetëve të Berishës dhe të Bardhit krijuan me tymuese dhe përmbysje të karrigeve.