Mbrëmjen e kaluar përfundoi në pranga ish-drejtori i policisë së Tiranës Erzen Breçani. Ai u vu në pranga pas një operacioni të SPAK, ku u lëshuan 11 urdhër arreste, pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC.

Në momentin e arrestimit, Breçani ka qenë pranë stadiumit ‘Air Albania’ bashkë me Dedan Gjonin, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë. Ata kishin prerë biletat për të parë ndeshjen e kombëtares me Ishujt Faroe, përballja e fundit për kualifikueset e europianit.

Në atë moment, bashkë me Breçanin u arrestua edhe Dedan Gjoni. Ndaj shefit të krimeve janë ngritur disa akuza për vepra të rënda penale, një prej të cilave është ajo e sigurimit te kushteve për të kryer vrasje.

Ndërsa Breçani dhe djali i tij, Eralbi Breçani, akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash.

Në pranga kanë rënë Besmir Mustati dhe Bujar Germizi. Ky i fundit një emër i njohur i botës së krimit në Kukës, po ashti i përfolur edhe për trafik droge. Germizi akuzohet për krijim kushtesh për te kryer vrasje. Një ndër punonjësit e policisë që është shoqëruar është edhe Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Në kërkim është edhe biznesmeni Ervin Mata një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që ka patur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018. Djali i Breçanit është i martuar me motrën e Ervin Matës.

Mbi 11 të dyshuarit për të cilët janë lëshuar urdhër arreste pas zbërthimit të mesazheve nga aplikacioni i koduar “SKY ECC” rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuat kriminal, trafik dorge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit. Operacioni është ende në vijim dhe pritet që të ketë një njoftim zyrtar për të dhënë më shumë detaje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu