Gjykata e Tiranës ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest shtëpie” për mjekun Fitim Marku. Ky i fundit u arrestua të premten në ambientet e spitalit të Traumës, nën akuzat për ryshfet.
“Nga hetimet e kryera deri më tani, rezultonte se këto shtetas, merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndryshëm për kryerjen e skanerave pranë Spitalit të Traumës në Tiranë”, njoftoi Prokuroria më herët.
Paraditen e sotme mjeku Marku ka pësuar ishemi cerebrale, e cila sipas raportimeve i është përsëritur sërish, pasi e kishte kaluar kohë më parë.
Sipas dosjes hetimore, Prokuroria ka kërkuar që ndaj tij të caktohet masa e sigurimit “arrest me burg”.
Kujtojmë se më 23 Shtator, në kuadër të operacionit policor të koduar “Skaneri” u arrestua në ambientet e Spitalit të Traumës mjeku reanimator, Fitim Marku, si dhe u shoqërua mjekja me iniciale S.B. dhe infermierja me iniciale K.B.