Laçi i Kurbinit është tronditur pak minuta më parë nga një breshëri armësh të shkrepura në qytet.

Mësohet se bëhet fjalë për një atentat ndaj shtetasit Skënder Lika, një personazh ky i njohur për policinë.

Më 11 mars të këtij viti do t’i vendosej tritol në banesën e Skënder Likës në Laç, ndërsa një makinë e djegur do të gjendej nga policia në vendin e quajtur Kallmat, në fshatin Gramës të Fushë-Krujës.

Mbi 10 persona u shoqëruan në atë kohë në polici dhe u morën në pyetje nga Policia e Kurbinit në lidhje shpërthimin e ndodhur në banesen 3 katëshe të familjes Lika në fshatin Sanxhak, por pa shkuar dot  në gjurmët e autorëve të ngjarjes.

Mes personave që kanë dhënë dëshminë e tyre në polici ishin dhe pjestarë të familjeve me të cilët kanë hasmëri familja që ishte objektiv i sulmit, por kanë mohuar të kishin lidhje me vendosjen e lëndës shpërthyese dhe janë lënë sërish të lirë.

Pista kryesore e hetimeve në atë kohë u përqëndrua tek hasmeria, pasi Skënder Lika, është babai i autorit të vrasjes së biznesmenit Rakip Roli.

Ndërkohë dhe nipi i tij, Ilir Lika është dënuar nga gjykata si bashkëpunëtor në vrasjen dy biznesmeneve, Paulin Gjergji dhe Bujar Lika, ngjarja e ndodhur brenda një lokali në Kurbin në vitin 2020.

Njoftimi i policise:

Kurbin/Informacion paraprak

Në Sanxhak, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit S. L. dhe më pas janë larguar me një automjet. Nga të shtënat ka vetëm dëme materiale.

Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, si dhe vijojnë hetimet dhe krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjithashtu, janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore, për bllokimin e automjetit, tashmë të identifikuar nga Policia, me të cilin janë larguar autorët.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove që do të bëjë të mundur zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu