Ramazan Sino, 46 vjeç, mbeti i vrarë dhe nipi i tij Alvi Bejtja, 18 vjeç u plagos pas të shtënave me armë zjarri në banesën e këtij të fundit në fshatin Larushk të Krujës. Ngjarja ka ndodhur pak minuta pas mesnatës kur viktima dhe nipi i tij po qëndronin në veranën e shtëpisë.
Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë pronari i banesës, Gentjan Bejtja, por që ky i fundit u ka shpëtuar plumbave. Bejtja i ka shpëtuar edhe më parë atentatit, ku në vitin 2022, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka.
Në atë kohë Gentian Bejtja mbeti i plagosur. Ai i ka shpëtuar edhe në 2016 një tjetër atentati me eksploziv në makinë ku edhe në atë kohë u dëmtua.
Si ndodhi ngjarja
Autorët kanë ndaluar mjetin tip tip ëolsvagen pranë rrugë nacionale dhe menjëherë kanë qëlluar në drejtim të dy personave duke lënë të vdekur në vend 46 vjeçarin dhe plagosur nipin e tij. Pas krismave, familjarët dhe fqinjët kanë njoftuar policinë e Krujës, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje.
Pas atentatit, autorët janë larguar në drejtim të liqenit të fshatit Tapizë duke djegur edhe automjetin. Grupi hetimor dhe ekspertë nga kryeqyteti po grumbullojnë prova dhe po hetojnë pistat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Policia ka sekuestruar edhe gëzhojat e gjetura në vendngjarje.
Njoftimi i policisë:
Më datë 04.07.2023, rreth orës 00:15, në fshatin Larushk, në Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., në rrethana ende të paqarta janë qëlluar me armë zjarri shtetasit R. S., 46 vjeç dhe A. B., 18 vjeç, (dajë e nip). Si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë shtetasi R. S., ndërsa shtetasi A. B., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve. Në Tapizë, te lapidari, rreth orës 00:40, është gjetur duke u djegur një automjet dyshohet tip “Volkswagen”.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.