Prej të hënës sportelet e Kadastrës do të jenë të mbyllura përfundimisht dhe shërbimi do të merret vetëm online.
Ndryshimet janë pjesë e reformës në këtë insitucion, të paralajmëruar gjatë fushatës nga Kryeminsitri Rama, i cili zgjodhi ta bëjë publike në një takim të hapur me deputetë, ministra dhe kryetarë bashkie, të cilët i bëri edhe përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhej Kadastra.
“Kadastra është bankë, është njësoj si banka qëndrore e Shqipërisë njësoj si një bankë e nivelit të dytë ku mbahen kursimet e qytetarëve, ku garantohen ndërveprimet e tyre me paranë dhe si çdo bankë Kadastra nuk është një fole për qoka, për të gjithfarë lloj njerëzish që nuk kanë asnjë lidhje me atë. Kadastra është penguar në mënyrë të vazhdueshme nga ju, deputetët, ministra, kryetarë bashkish”.
Për këtë arsye iu adresua shqiptarëve duke iu kërkuar falje për torturat që kanë kaluar me çështjet e pronësisë.
“Dua ta them me gojën plotë dhe kokën ulur se sot është dita për të kërkuar falje në emër të PS, shqiptarëve që kanë kaluar në zinxhirin e torturave të Kadastrës dhe kjo është ndjesa e një kryetari të një partie fajtore dhe jo e gjithë partisë por udhëheqja që ka dhënë shembullin e keq për të tjerët, që u ka thënë të tjerëve se kjo bankë është një han me 7 porta”.
Me reformën e bankës së pronave të shqiptarëve, tha Rama, tashmë Kadastra do të kthehet në nje makineri dixhitale.
“Nga e hëna, Kadastra do jetë makineri dixhitale. Punonjësit aty brenda një pjesë e të cilëve kanë kërkuar të largohen se nuk kanë mundësi të bëjnë gjë tjetër se punën e kanë vetëm para kompjuterit, nuk kanë gjë në dorë”.
Kreu i qeverisë tha se pret dorëheqje masive nga Kadastra.
“Pres dorëheqje masive nga Kadastra dhe nga ana tjetër drejtorja e ka shumë të qartë. E para punonjësit e kësaj banke duhet të jenë bankierë prandaj do iu lutesha shumë mos të bëni më asnjë ndërhyrje për askënd. Se ky na ka sjellë aq vota, e ai na ka sjellë triumfin, se na duhet për të marrë fitoren”.
Për punonësit e Kadastrës që do të vijojnë punën do të ketë rritje page.
“Rritja e pagave të Kadastrës do jetë shumë e konsiderueshme sepse punonjësit duhet të paguhen nga shteti dhe jo nga qytetarët”.
Teksa bëri me dije reformat në këtë isntitucion, kryetarja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Dallëndyshe Bici tha se është ngritur akademia për trajnimin e personelit.
“Për herë të parë, është ngritur akademia, personeli trajnohet për vendin e punës. Gjithashtu kemi marrëveshje me Universitetin e Tiranës për lidhjen e kontratave me studentë të fushës që nga bankat e shkollës. Kemi nisur punën për qendërzimin e arkivës që do të jetë e paprekshme. Sa i takon arkivës digjitale brenda pak muajsh, funksionimi do jetë vetëm nëpërmjet e-Albania”, thotë drejtoresha Dallëndyshe Bici.
Me reformën në Agjencinë Shtetërore të Kadatsrës, tashmë qytetarët do të aplikojnë vetëm online. Ndërsa trajtimi i çështjes do të bëhet nga çdo punonjës i zyrave kadastrale në vend, duke shmangur kontaktin fizik me qytetarin.