Kur u botuan 21 vjet më parë në gjuhën shqipe, u shënua dalja në dritë pas plot 7 shekujsh të atyre që janë cilësuar si një permendore e kujtesës së Shqipërisë. Mungesa e tyre në treg dhe dëshira për t’i njohur të rinjtë dhe të rejat shqiptare me këtë dokument të rëndësishëm, solli ribotimin e Statuteve të Shkodrës, që u prezantuan në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Ato paraqesin një jetë qytetare e cila nuk kishte asnjë ndryshim nga ajo që zhvillohej në shumë vende të tjera të ngjashme në Europën mesjetare.
Lucia Nadin: “Eshtë një dokument i rëndësishëm për historinë e Shqipërisë, sepse deri kur nuk u shfaq nga një bibliotekë në Venezia ky dokument, i cili historise mesjetare te Shqipërisë, nuk dihej asgjë. Edhe i famshmi at Valentini që kishte shkruar aq shumë për Venecian, fatkeqësisht deklaronte se nuk disponojmë dokumenta të periudhës mesjetare, të statuteve të qyteteve, për të kuptuar si ishte Shqipëria e asaj periudhe. Që kur u u shfaq ky tekst, që është kopje unike, sic edhe meshari i Buzukut që është unik, mund të kuptohet, njihet dhe të rindërtohet fizionomia e Shqipërisë mesjetare. Ishte një boshllek njohurie dhe historik, që është shumë i rëndësishëm dhe duhet të futet në librat e historisë së Shqipërisë. Unë jam takuar 30 vite më parë me këtë dokument dhe hera e parë që kam folur ka qënë pikërisht këtu në universitetin “Luigj Gurakuqi”. Isha e sapo ardhur në Shqipëri dhe në këtë sallë kam dhënë lajmin që kisha gjetur këtë nënshkrim. Prej aty nisi puna e gjatë sepse nuk kuptohet cdo gjë menjëherë, prandaj u deshën vite të tëra angazhimi jo vetëm i imi por edhe studiuesve e bashkëpunëtorëve të tjerë. U gjet në Venezia dhe atje ka një numër të pafundëm dokumentash që duhet të dalin në dritë për Shqipërinë. Fatkeqësisht jam e vetme dhe është e pamundur që një person t’i bëjë të gjitha, duhet punë e madhe dhe angazhim i studiuesve, studentëve. Arkivat Veneziane janë të mbushura me dokumenta historik të Shqipërisë, ka shumë për të zbuluar. Duhet të jepen bursa studimi, të formohen studiues të rinj, duke menduar për të ardhmen. Nevojitet një plan pune, pasi është historia e Shqipërisë e dokumentuar në Venezia” perfundoi ajo. Statutet që rezultojnë që para vitit 1346, janë mbajtur në fuqi edhe kur qyteti ra nën kontrollin e Venedikut 1436. Historiani dhe studiuesi Pëllumb Xhufi i quan statutet e Shkodrës si dokumentin më të rëndësishëm të shtetformimit. Këto faqe të gjetura në një kod të ruajtur në Venecia, konsiderohen si një monument i Shqipërisë mesjetare dhe si një burim i një rëndësie të jashtëzakonshme, për njohje dhe studimin e realitetit mesdhetar të kësaj periudhe. Ribotimi u mundësua nga shoqata “Korabi” në Itali e cila ka ndërmarrë nismën e veçantë të krijimit të shkollës shqipe në Bologna ku këtë vit mësuan 25 fëmijët e parë.