Nga Lutfi Dervishi

Nëse policia, prokuroria dhe gjykata do të trajtonin çështjen e të “dhënave personale” të shqiptarëve të bëra publik në prill të 2021, me po atë seriozitet që trajtuan ndërtimin pa leje të një koteci pulash nga një zonjë 82 vjeçare në Nartë të Vlorës, sot nuk do të ishte nevoja që Prokuroria dhe policia të kërkonin ndalimin e publikimit të materialeve të hakuara.

Prokuroria ende nuk ka gjetur fajtorët e bërjes publike të të dhënave të 900 mijë shqiptarëve- fajtorë që i dinë të gjithë- me përjashtim të prokurorëve.

Njoftimi për ndalimin e publikimit nuk ka shumë vlerë praktike. Ky njoftim nuk ka fuqi jashtë territorit të Shqipërisë dhe është më shumë goditje ndaj lirisë së medias sesaakt që ruan “sigurinë kombëtare”. Siguria kombëtare cënohet nga krimi organizuar dhe korrupsionit, nga zyrtarë të paaftë dhe të papërgjegjshëm dhe jo nga gazetarët. Media dhe gazetarët nuk janë përshirë në aktin e hakerimit. Nuk kanë asnjë rol në këtë histori. Krimi është kryer nga të tjerë.

Materialet e hakeruara që mund t’i aksesojë kushdo dhe kudo mund të shërbejnë si informacione me shumë vlerë për median dhe mund të kenë interes publik. Gazetarët nuk kanë asnjë rol në “hakerimin” e dokumentave.

Ka plot pyetje legjitime që ende dhe sot nuk kanë përgjigje?
Pse SPAK në fillim dhe më pas Prokuroria e Tiranës nuk kanë mbyllur ende hetimet për “rrjedhjen e të dhënave”? Kanë kaluar 18 juaj dhe çështja është komplekse, por tejet e thjeshtë. Dhe këtu nuk kemi patur hakerim. Hetim për të cilin mjaftonë 18 ore. Si përfunduan të dhënat që grumbullohen vetëm nga AKSH-i në duar të patronazhistëve? Vetëm kësaj pyetje i duhet dhënë përgjigje!

Pas publikimit të pagave u premtua zyrtarisht se do të forcohet sistemi mbrojtës dhe do të investohet më shumë për sigurinë.

Çfarë po ndodh me sistemin TIM-s? Një sistem i mbyllur që edhe sipas ekspertëve është shumë i vështirë hakerimi?

Në qindra mijëra dokumenta të hakeruara mund të ketë dokumenta që cënojnë sigurinë kombëtare, por pa diskutim ka dokumenta që kanë interes publik. Madje edhe ato të sistemi TIMS. Nëse gazetarët, për shembull, me këto dokumenta vërtetojnë hyrje daljet e personave në kërkim (psh rasti incineratorëve) a është ky interes publik apo “cënim i sigurisë kombëtare”?

Nëse gazetarët ngrenë pyetjen: si është e mundur që policia ka qenë e informuar që persona shumë të kërkuar kanë qenë në qendër të Tiranës dhe nuk ka vepruar? Kjo pyetje është me interes publik apo cënon sigurinë kombëtare?

Nëse nga emailet drejtuar Kryeministrit (edhe këto të hakeruara) gazetarët zbulojnë ta zemë një denoncim për aferë korruptive, është kjo çështje me interes publik apo cënim i sigurisë kombëtare?

Në bazë të ligjit për të drejtën e informimit gazetarët mund të kërkojnë kopje të emaileve të çdo zyrtari të lartë dhe këtu nuk kemi as cënim rendi, as cënim të sigurisë kombëtare dhe madje as cënim të pritatësisë.

Ka një dyshim të bazuar qoftë te serioziteti hetimit qoftë edhe te angazhimi i autoriteteve. Sepse janë tallur me rrjedhjen e të dhënave personale dhe në vijimësi kanë gënjyer duke thënë: “të dhënat janë të sigurta”, “Nuk kanë marrë ndonjë gjë me rëndësi” etj, etj.

Gazetarët dhe media kanë të drejtë të mbledhin dhe të përpunojnë informacion që tashmë është publik. Por në rastin konkret duke treguar kujdes për të ruajtur sigurinë e individëve. Jo çdo gjë mund të publikohet, por nuk ka dyshim se ka plot lëndë me interes për publikun. Një përzgjedhje e mirë, një konsultim me juristë dhe një kujdes i shtuar do të ishin një shërbim i madh që i bëhet publikut.

Nuk është detyrë e gazetarëve të ruajnë “sekrete”, por t’i publikojnë ato.

Sa i përket autoriteteve, gazetarët mund të kenë më shumë besim te policia dhe prokuroria nëse (e përsëris) për “rrjedhjen e të dhënave personale”, tregojnë të njëjtin zell siç treguan për zonjën 82 vjeçare nga Narta.

P.S. Njoftimi i Prokurorisë për ndalimin nuk gjendet as në faqen zyrtare të Prokurorisë as te faqja zyrtare e policisë. Për momentin gjendet vetëm në faqen e facebook-ut të policisë. Ndoshta është edhe në ndonjë grup whatsapp apo telegrami.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu