Një shtetase angleze humbi jetën ditën e djeshme pasi u mbyt në Sarandë, gjatë zhytjes që ajo po bënte.
Sot policia ka arrestuar përgjegjësin e zhytjes tek vendi “Vapori i mbytur” pasi kishte punësuar instruktoren e zhytjes jashtë rregullave si dhe nuk garantoi kushtet e nevojshme të sigurisë.
DVP Vlorë
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 45 vjeç, banues në Sarandë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, pasi ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Vapori i mbytur”, gjatë ekspeditës së zhytjes, me përgjegjës këtë shtetas, është mbytur shtetasja angleze R. G., 29 vjeçe. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi S. K. e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes, në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi R. Ç., 54 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, është përfshirë në një aksident me dëme materiale, si dhe ka tentuar të largohet nga vendi i aksidentit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.