Pas fitores së thellë në zgjedhjet e 14 majit, kryeministri Edi Rama do të nisë një tur falënderimesh në të gjithë vendin. Padyshim që turi do të nisë nga Shkodra, ashtu siç pati paralajmëruar në daljen e parë pas fitores së zgjedhjeve. PS do ta drejtojnë Shkodrën për herë të parë në histori, e prandaj ky tur do të nisë nga bastioni i të djathtëve që u thye nga socialistët më 14 maj me një diferencë të thellë mbi 10 mijë vota nga koalicioni Bashkë Fitojmë.
Është zgjedhur Shkodra për të nisur turin, pasi vetë kryeministri tha se do t’i falënderojë shkodranët për këtë mundësi që u dhanë, ndërsa do të prezantojë para tyre edhe projektet që kanë për Shkodrën, për të cilën Rama ka thënë se tashmë do të nisë një histori të re.
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Benet Beci, Elisa Spiropali dhe deputeti Agron Çela është ndalur te muzeu i krimeve të komunizmit, për të cilin thotë se do ta transformojnë për ta kthyer në një destinacion kyç për turistët por edhe nxënësit shqiptarë kudo që jetojnë. “Vizitë në ‘Vendin e dëshmisë dhe kujtesës’, ku do të bëjmë një transformim rrënjësor, për ta kthyer nga një hapësirë pa jetë, në një muze mbresëlënës të tragjedisë së persekutimit komunist, destinacion kyç të Shkodrës historike, jo vetëm për vizitorët e për turistët, po edhe për nxënësit shqiptarë kudo jetojnë”, shkruan Rama.






