Në 60-vjetorin e lindjes së mjeshtrit të madh të futbollit Shkodran, kryetari i bashkisë Shkodër Bardh Spahia përmes një ceremonie të veçantë që bëri bashkë emra të shquar të sportit, i akordoi vlerësimin e “Mirënjohjes” futbollistit Hysen Zmijani. Ai vlerësoi kontributin që Zmijani ka dhënë për ngjyrat kuq e blu si dhe kombëtaren e Shqipërisë, duke lartësuar emrin e vendit tonë edhe në arenën ndërkombëtare.
STATUSI I z.Spahia
“Nder dhe privilegj të jesh mes emrave të spikatur të sportit shkodran dhe atij shqiptar që na kanë bërë krenar të gjithëve. Pata kënaqësinë që në ditëlindjen e tij të 60-të, të vlerësoja me titullin “Mirënjohje” për kontributin që ka dhënë për ngjyrat kuq e blu si dhe kombëtaren e Shqipërisë, mjeshtrin e futbollit Hysen Zmijani. Shkodra ka fatin që në gjirin e saj të ketë kaq shumë talente, që ndër breza i kanë dhënë aq shumë këtij qyteti dhe Shqipërisë, duke ja lartësuar emrin në botë. Mirënjohja dhe vlerësimi është më e pakta që mund të bëjmë për këto figura”.
Kolegë të tij, familjarë, miq dhe drejtues të sportit ishin pjesë e kësaj ceremonie, për të ndarë gëzimin e një dite të shënuar për Hysen Zmijanin. I lindur në Shkodër në vitin 1963, Hysen Zmijani mbetet një prej emrave të shquar të futbollit shqiptar. Ai ka luajtur në Shqipëri, Francë, Arabi Saudite dhe Gjermani. Në nderim të tij në Shkodër do të luhet edhe Kupa “Hysen Zmijani” ku në fushën e lojës do të zbresin disa nga emrat e shquar të futbollit shqiptar të vitevë ’80.






