Mëngjesin e sotëm kreut të PD-së së Vaut të Dejës Bernard Ndreca, i është vendosur tritol në makinë, i cili ka shpërthyer sapo ky i fundit ka lëvizur mjetin, por për fat të mirë nuk ka pësuar lëndime.
Në një deklaratë për gazetarët ai tha se ky është një akt që vjen për shkak të detyrës së tij dhe se nuk ka pasur asnjë konflikt personal me askënd.
Ndreca i ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin sa më parë ngjarjen, ndërsa tha se, nuk mbahen dot bashkitë e vendeve me presion.
“Në momentin që ka lëvizur makina nga vendi aty ka qenë shpërthimi. Skam konflikte me asnjë, kjo është e përdorur politikisht. S’më është vendosur mua por kreut të PD së Vaut të Dejës sepse këtu janë të organizuar mirë. S’kam përplasje, as kërcënime. Janë parë pamjet, vijnë dy persona, në orën 1:15 të natës, rreth 7 minuta aty, vendosin eksplozivin dhe largohen. Janë të maskuar.
Thirrja ime është, duke filluar që nga kryeministri: Të distancojnë policinë nga politika. Lërini njerëzit të votojnë të lirë. I bëj thirrje çdo lloj kahu politik, se vullneti i njerëzve dihet se ku shkon, nuk i mbani dot bashkitë e vendeve me presion”, deklaroi ai.