Reforma e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023 për rritjen e pagave do të finalizohet deri në fund të 2024.

Vendimi “Për miratimin e dokumentit të politikave prioritare 2025–2027”, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton nivelet e reja të pagave që synohet të arrihen deri në fund të vitit 2024 për punonjësit e administratës qendrore, të pushtetit vendor, mjekët, mësuesit dhe infermierët.

Mbështetur në këtë reformë, synohet që në vitin 2024, paga mesatare në administratën buxhetore qendrore, nga 71.630 lekë aktualisht, të shkojë rreth 107.257 lekë/muaj, ose rreth 900 euro/muaj në fund të vitit 2024. 

Rritje të pagave do të ketë edhe për punonjësit e aparatit në njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke synuar ngushtimin e hendekut që ekziston midis kësaj kategorie dhe nëpunësve të institucioneve qendrore.

Për këtë arsye, në dokument përcaktohet se pagat do të ristrukturohen në tri grupe (Tirana + 2) me diferencë vetëm 10% nga njëri-tjetri për nivelet e pagave.

Sipas dokumentit për realizimin e reformës së plotë të pagave, që po vijon nga viti 2023, e shtrirë gjatë dy viteve, arrin një kosto prej rreth 39 miliardë lekë dhe përfitojnë 130 mijë punonjës.

Deri në fund të vitit, paga bruto e mësuesve do të arrijë 104 mijë lekë

Në vijim të rritjes së pagave të miratuara gjatë vitit 2023, në vitin 2024, parashikohet një rritje e konsiderueshme e pagës së punonjësve në sektorët e arsimit.

Për punonjësit e arsimit parauniversitarë do të kenë rritje page në masën 31.3%, rritje e cila do të përcjellë një rritje kumulative për këta mësues në masën 38% ose në vlerë është në masën 28.900 lekë/muaj, duke e çuar pagën mujore nga 75.900 lekë/muaj në 104.800 lekë/muaj.

Aktualisht paga bruto për mësuesit e shkollave të mesme arrin në vlerën e 75,000 lekëve, ndërsa paga neto prej 65,000 lekë.

Rritja e pagave të mjekëve dhe infermierëve për 2024 nga 15,000 deri në 20,000 lekë në muaj

Në vendim vlerësohet se në sektorin e shëndetësisë, pagat e mjekëve specialistë janë rritur ndjeshëm duke e çuar pagën mesatare bruto të mjekut deri në 174.000 lekë/muaj.

Në vitin 2024, fokusi i reformës në këtë sektor do të jenë pagat për mjekët e familjes dhe infermierët. Në vitin 2023, mjeku i përgjithshëm mori një rritje pagë në masën 7% ose në vlerë në masën 6.000 lekë/muaj dhe për vitin 2024 do të përfitojë një rritje në masën 20.000 lekë/muaj.

Rritja kumulative e pagës mesatare të mjekut të përgjithshëm është 25% dhe shkon deri në 131.000 lekë/muaj.

Në vitin 2023, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë morën një rritje pagë në masën 7% ose në vlerë në masën 3.600 lekë/muaj dhe për vitin 2024 do të përfitojë një rritje në masën 15.000 lekë/muaj. Rritja kumulative e pagës mesatare të infermierit është 27% dhe shkon deri në 87.000 lekë/muaj. /Monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu