Më 4 nëntor 1990 ishte një ditë historike për Shqipërinë. Dom Simon Jubani do të mbante meshën e parë duke shënuar kështu rënien e komunizmit 34 vjet më parë.
Dom Simon Jubani, mё 4 nёntor 1990 kremtoi Meshën e parë në varrezat katolike të Rrmajit duke sfiduar terrorin e diktaturës komuniste e duke bërë të shpërthente fuqia e lirisë mbi diktaturën, fuqia e së mirës mbi të keqen, e dashurisë e vëllazërimit mbi urrejtjen e përçarjen. Mesha e kremtuar nga dom Simoni hodhi themelet e lirisë e të demokracisë në Shqipëri pas dimrit të egër e të gjatë të imponuar nga komunizmi.
Prifti shkodran dom Simon Jubani njihet si një nga njerëzit e meshtarët shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgje komuniste dhe që u ka qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore e kombëtare as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve. Dom Simon Jubani u bë kështu nismëtari i rihapjes së Kishave e Xhamive në Shqipëri kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar. Kleri dhe Kisha Katolike u bënë edhe një herë shkëndija që rifitoi lirinë e rivendosi demokracinë në Shqipëri.
Kështu, data e 4 nëntorit 1990, që mbeti e paharruar në mendjen dhe zemrën e shkodranëve e të të gjithë shqiptarëve, dëshmoi se populli shqiptar që nuk e kishte harruar Zotin, që nuk e kishte mohuar fenë e as vlerat më fisnike, edhe pas një gjysmë shekulli ateizmi e terrori shtetëror.
Në përkujtim të kesaj date u kremtua mesha në varrezat e Rrmajit nga arqipeshkëvi Massafra. Ai kujtoi rrugëtimin që ka bërë vendi ynë në këto 34-vite, sfidën e emigrimit dhe krizat.