Partia Demokratike ka zyrtarizuar kandidatët në garën për kryetar të degës lokale në Shkodër. Në këtë garë do të jenë ish drejtori i IMT në bashki Gentian Ibro dhe ish numri dy i bashkisë Ardit Qylybyli. Kandidaturat, të cilat do të votohen nga anëtarësia sipas parimit “një anëtar, një votë”, u prezantuan pasditen e së hënës gjatë mbledhjes së kryesisë së degës lokale, ku u komunikua edhe vendimi i Kryesisë së PDSH-së. Anëtarët e Partisë Demokratike në Shkodër do të kenë mundësinë të votojnë për drejtuesin e ri lokal të dielën, më 15 mars 2026. Në përfundim të procesit zgjedhor do të shpallet edhe kryetari i ri i degës së PD-së në Shkodër.






