UEFA ka vendosur t’i besojë FSHF-së dhe Shqipërisë mikpritjen e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17. Federata Shqiptare ishte një nga federatat që kishte kandiduar për të pritur fazën finale të turneut. Së fundmi, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e zhvillua këtë të martë në Qipro ka votuar pro kandidaturës shqiptare, me finalet e turneut kontinental që do të luhen në Shqipëri pas dy vitesh.
Në aplikimin e dorëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Gjithashtu për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.
Në të njëjtën kohë me marrjen e të drejtës së organizimit të një kompeticioni kaq madhor lind dhe detyrimi për të kryer disa investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore ku së bashku me pushtetin qendror dhe atë lokal do të duhet të investohet në Tiranë, Durrës, Kamëz, Elbasan, Shijak, Rrogozhinë e Kavajë.Pas finales së Conference League mes Romës dhe Feyenoord në 25 majin e 2022, tanimë UEFA i beson FSHF-së një event të rëndësishëm, Europianin 2025 për moshat U-17. Kryeministri Rama shkruan:
😍⚽️Pas finales së UEFA Conference League të vitit të kaluar, UEFA ka vendosur sot që Kampionati Europian për moshat U17, i vitit 2025 do të mbahet në Shqipëri në 4 stadiume🏟️
Gjëra të paimagjinueshme deri disa vjet më parë🇦🇱🦅
📍”Air Albania”
📍”Loro Boriçi”
📍”Elbasan Arena”
📍”Egnatia Arena”