Në kantierin e rrugës “Kthesa e Bërdicës-Ura e Bahçallëkut” vijojnë punimet për zgjerimin e rrugës hyrëse në Shkodër dhe ndërtimin e urës së re paralel me urën ekzistuese.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi punimet në këtë vepër të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, teksa tha se “projekti që po zbatojmë nuk e prek urën ekzistuese të Bahçallëkut, 1800 m e gjatë, ndërsa ndërtojmë një urë paralele që do të shërbejë si njëra nga krahët e rrugës”.

Balluku tha se ky projekt investimi përfshin edhe aspekte të tjera sa i takojnë rehabilitimit të urbanizimit

“Kemi pasur kërkesë nga Bashkia e Shkodrës për ta urbanizuar projektin, gjë e cila ka ndodhur edhe me Unazën e Madhe të Tiranës nga Bashkia e Tiranës, çka do të thotë se këto vepra pavarësisht se janë infrastrukturë kombëtare rrugore, nga ana tjetër futen në zonat e banuara, duke bërë të nevojshme të investojmë edhe në pjesë të tjera që janë të ndërlidhura me pjesën urbane duke përfshirë gjelbërimin, ndriçimin, trotuare etj”, tha Balluku.

Ajo deklaroi se ky është një projekt urban, që do të thotë se hyrja rrugore për në Shkodër do të jetë e investuar me elementë urbanë duke lehtësuar dhe rritur sigurinë e qarkullimit të qytetarëve.

Janë tre mbikalime që do të realizohen përgjatë rrugës ndërsa ura e re do të akomodojë trafikun që lëviz në drejtimin e Tiranës, ndërsa ura ekzistuese do të shërbejë vetëm për trafikun që lëviz në drejtimin e Shkodrës.

Rruga e re do të jetë e kategorisë D, me 2 korsi për secilin drejtim lëvizjeje dhe me trotuar më të gjerë se 1.5 m në të dy anët e saj.

Afati i dorëzimit të kësaj vepre është qershor 2026, ndërsa synohet dorëzimi si vepër e përfunduar në fund të këtij viti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu