Nga Eliona Shkreli

Tendenca e Bashkisë Rilindase për të përçudnuar G’juhadolin, e shpallur zonë e mbrojtur, s’ka fund.

Zona historike e qytetit është zgjedhur si fole’ për ndriçimin LED të tipit “UFO aliene” të lidhura nëpër shtylla të zeza, lartësia e të cilave arrin mbi çatitë e shtëpive karakteristike të Shkodrës.

G’juhadoli është kthyer në eksperimentin e provës për administratën bashkiake të epokës Benetiane, duke u munduar të shpërfytyrojë trashëgiminë historike që mbart e për ta kthyer në një lagje të mbushur me mejhane nëpër dy anët e rrugës, me vazo që kanë zënë trotuaret, me lëvizje të automjeteve jashtë e brënda orarit të lejimit të lëvizjes apo dhe parkimeve të paligjshme nëpër dy anët e rrugës.

Tashmë Bashkia e sotme vendos të ndriçojë me Ufot LED vetëm katet e para të banesave karakteristike dhe rrugën, pasi perimetri i ndriçimit ‘modern’ nuk arrin të ndriçojë të gjithë lartësinë e shtëpive historike.

Skandali i vendosjes së shtyllave të zeza rrëzë banesave dhe lidhja me tela e ndriçuesve të tipit ‘anije aliene’ janë përçudnimi që vendoset t’i bëhet kësaj lagje. Ky është një shkatërrim me tendencë i administratës së re bashkiake, që në emër të ‘modernizimit’ me ndriçues që ngjajnë si ‘disqe fluturuese’ në fakt po rrënojnë e shpërfytyrojnë traditën muzeale e historike të Shkodrës së lashtë.

Shërbimi më i mirë që mund t’i bëhej kësaj zone do ishte ndërhyrja në banesat që rrezikojnë të shëmben, në riparimin e tyre dhe kthimin e hijeshisë që i takon kësaj lagje me pasuri të trashëgimisë historike të Shkodrës. Por jo, bukuria e Shkodrës duhet shkatërruar dhe këtë po e bën më së miri kryetari i ri i Bashkisë i cili (siç duket) ia ka vënë qëllim vetes apo e ka urdhër partie, t’i heqë Shkodrës identitetin dhe krenarinë që e karakterizon prej shekujsh.

Diktatura komuniste nuk arriti ta bënte, epoka Benetiane po tenton por shumë shpejt qytetaria shkodrane do dijë t’ja japë përgjigjen siç e meritojnë shkatërrimtarëve rilindas, trashëgues të atyre që persekutuan gjithmonë Shkodrën e lirisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu