Një banesë është përfshirë nga flakët gjatë natës në Fushë-Mamurras te Kurbinit, duke u shkrumbuar pothuajse plotësisht.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatë dhe banesa i përket shtetasit Lulzim Tarja. Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
“Ishte ora 11 e gjysmë, kërciti dera. Erdhi dhe zjarrfikësja, por erdhi pak vonë. Katastrofë, të gjithë gjërat që kisha ikën. Shkaku duhet të jetë i korrentit se tjetër gjë nuk ka”, tregon Tarja.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Laçit, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit dhe kanë bërë të mundur izolimin e tij, duke shmangur përhapjen në banesat përreth.
Paraprakisht dyshohet se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një shkëndijë elektrike, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.






