Zjarret shkrumbuan këtë vit 57 mijë hektar pyje e kullota në të gjithë Shqipërinë, sipas të dhënave të Sistemit Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje. Kërcënimi nga flakët po rritet çdo vit e më shumë si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe thatësirës së madhe. 

Në raportin vjetor të vitit 2024 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thuhet se, “pritet që pyjet të preken në mënyrë të konsiderueshme nga ndryshimet e ardhshme klimatike”, që mund të sjellin më shumë zjarre, më pak pyje, ulje të produktivitetit e për pasojë reduktim i sipërfaqeve pyjore për disa lloje (bredhi, bredhi evropian, pisha skoceze etj.) Po kështu, prej pakësimit të pyjeve reshjet ekstreme do të shkaktojnë përmbytje në pjesën perëndimore të vendit dhe përgjatë zonave bregdetare.

Po kështu, ndryshimet klimatike mund të dëmtojnë edhe kullotat e livadhet, duke dëmtuar cilësinë e tyre apo mund të shkaktojnë edhe zhdukje e specieve endemike.

Në raport thuhet se zjarret vjet u shtuan shumë në vend dhe dëmi që shkaktuan ishte djegie e 18.5 mijë hektar pyje e kullota.

“Në fondin pyjor/kullosor në administrimin e Bashkive ka pasur në total 269 raste zjarret, nga të cilat: 213 raste zjarresh në fondin pyjor, 56 raste zjarresh në fondin kullosor. Viti 2024 është karakterizuar nga një situatë me raste te shumta dhe sipërfaqe të konsiderueshme të zjarreve kryesisht gjate muajve korrik, gusht dhe shtator ku, sipërfaqja totale e prekur nga zjarret në rang vendi në pyje dhe kullota -18.562 ha”, evidentohet në raport.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka ngritur si shqetësim në raport edhe përkeqësim e kurorave të drurëve, që ka ardhur prej zjarreve apo thatësirës.

“Vëzhgimet e kryera ndaj fenomenit të rënies së halave për llojet e halorëve dhe rënia e gjetheve për llojet fletorë, tregojnë se ka rritje të këtij fenomeni gjatë këtij viti, këto janë argument për të treguar një përkeqësim në gjendjen e kurorave të drurëve. Këto reagime të drurëve kanë ardhur si rezultat i ndikimit nga thatësira, mungesa e lagështirës ajrore dhe ujit, të cilat kanë shkaktuar rënien e halave e gjetheve”, vijon më tej raporti.

Shfrytëzimi pa kriter i pyjeve por edhe zjarret thotë agjencia po vënë në rrezik disa lloje pemësh në vend, ndaj duhet të merren masa të menjëhershme.

“Për disa prej llojeve si; Caracën e Kaukazit (Celtis Tourneforti), Rrenjën (Quercus robur L), Gështenjën e kalit (Aesculus hippocastanum), Lajthinë e egër (Corylus colurna L) etj që janë në kufijtë ekstrem të rrezikimit, është e nevojshme ngritja e rrjetit të konservimit ‚‘in-situ‘‘ dhe ‚‘‘ex-situ‘‘ për këto lloje. Shkaktarët për kërcënimin për zhdukje për llojet e mësipërme janë të ndryshëm dhe kryesisht si pasojë e ndryshimeve të treguesve klimatike apo prishjes së habitatit të tyre. Kërcënimi vjen edhe si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të ndodhura në vitet e mëparshme apo zjarreve të shfaqura në arealin e vendndodhjes së tyre”, vijon më tej raporti.

Po ashtu sugjerohet që të nisë edhe një fushatë ndërgjegjësimi për rëndësinë e këtyre druve në mënyrë që të tregohet kujdes i shtuar, por edhe duke ngritur rrezikun që mund t’ju vij nëse këto lloje drunore zhduken.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu