Kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim për zjarret që kanë prekur vendin, me situatën më të rënduar në Delvinë e Gramsh. Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shkruan se sot është një tjetër ditë gatishmërie e lartë dhe përpjekjesh të përbashkëta për një situatë që tashmë është më e përmirësuar. Një koment bën edhe për “lehaqeniet”, siç i cilëson ai kritikat e vazhdueshme për mungesën e mjeteve të nevojshme në përballimin e zjarreve. Neveri, shkruan kreu i qeverisë, për “lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre” në një kohë kur edhe vende të tjera të Evropës përballen me vatra të shumta zjarri.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë gatishmërie të lartë e përpjekjesh të përbashkëta, përballë një situate të përmirësuar falë mundimesh e sakrificash të admirueshme por me rreziqe e të papritura në çdo çast; me neveri për lehaqeniet që vazhdojnë avazin e tyre të krehjes para pasqyrave mediatike, teksa në tërë Europën Jugore digjen në flakë mijëra vatra zjarri nga Spanja e deri në Turqi, ju uroj një ditë sa më të qetë të gjithëve”, ka shkruar kryeministri.

Në një tjetër reagim për zjarret, Rama shpreh mirënjohje për forcat Komando, duke thënë se ishin një vlerë e shtuar “në pastrimin nga çdo vatër të të gjithë vijës së Sopotit, mes Delvinës dhe Gjirokastrës”.

“Një FALENDERIM i posaçëm me MIRËNJOHJE për Forcat Komando, të cilat gjatë gjithë natës deri në mëngjes u bënë një vlerë e shtuar në pastrimin nga çdo vatër të të gjithë vijës së Sopotit, mes Delvinës dhe Gjirokastrës, 10km front zjarri që tanimë është qetësuar plotësisht”, shkruan Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu