Dëmet që po shkaktojnë zjarret e këtij viti po thyejnë rekorde në dekadat e fundit. Sapo një vatër shuhet të tjera shfaqen.

Sistemi Evropian për Zjarret në Pyje thotë se deri më tani në Shqipëri janë shkrumbuar 45.6 mijë hektar pyje, ndërkohë që vjet për të gjithë vitin u dogjën në total 46 mijë hektar.

Me këtë situatë alarmante zjarresh nga veriu në jug, Instituti për Bashkitë Shqiptare kërkon nga qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore sidomos në dy bashki.

“Është e vonuar mbledhja e komunitetit Ndërministror të Emergjencave Civile. Gjykoj që ky është momenti për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Gramsh dhe Delvinë atje ku gjendja është më emergjente. Shpallja e fatkeqësisë natyrore i jep të drejtë institucioneve të mbledhin mjete për të menaxhuar situatën pa procedura burokratike”, thotë Agron Haxhimal, kreu i Institutit për Bashkitë.

Pasi vendi të dalë nga faza emergjente, thotë Instituti, të vlerësohen dëmet dhe të dëmshpërblehen banorët për humbjet prej zjarrit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndërkohë ngriti mekanizmin e emergjencës për mobilizimin e të gjitha strukturave shëndetësore dhe logjistike në zonat e rrezikuara nga zjarret.

Të gjithë spitalet rajonale janë në koordinim të vazhdueshëm për mbështetjen operative të strukturave të përfshira në këtë emergjencë.

Dhjetëra qytetarë por edhe zjarrfikës janë drejtuar nëpër urgjenca për të marrë ndihmë mjekësore për shkak të problemeve të shkaktuara prej zjarreve dhe tymit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu