Kandidati per kryetar te PD Shkoder Ardit Qylybyli ju eshte drejtuar me nje mesazh strukturave perpara zgjedhjeve te se dieles.
Statusi:
Të dashur anëtarë dhe drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Shkodër ✌🏻
Pas zyrtarizimit të kandidaturës sime për Kryetar të PD, Dega Shkodër, nga kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, fillimisht dëshiroj t’ju drejtohem me respekt dhe mirënjohje të përzemërt për punën dhe përkushtimin tuaj ndër vite në shërbim të familjes tonë politike dhe vlerave që ajo përfaqëson.
Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për një Parti Demokratike të bashkuar, të fortë dhe të hapur ndaj çdo demokrati e qytetari. Fryma e ekipit në struktura, motivimit dhe besimit tek vlerat dhe parimet e familjes sonë politike është hapi i parë për të ndërtuar një opozitë të fuqishme dhe të besueshme për bashkëqytetarët tanë. Synimi im është që PD Shkodër të jetë sa më pranë qytetarëve, më e hapur ndaj shqetësimeve dhe problemeve të tyre, duke ndërtuar ura komunikimi të forta në çdo lagje, njësi administrative e çdo komunitet, me çdo demokrat, nga të rinjtë e deri tek kontributorët ndër vite që janë themeli i forcës tonë politike. Vetëm duke qenë pranë qytetarëve mund të rikthejmë besimin dhe mbështetjen që kjo PD ka pasur gjithmonë në Shkodër.
Për mua kjo është një përgjegjësi që sigurisht vjen pas një besimi që Partia Demokratike dhe mbështetja e qytetarëve të Shkodrës, më kanë dhënë edhe në detyrat e mëparshme si: N/Kryetar i Bashkisë Shkodër për 3 vite, Drejtues seksioni dhe grupseksioni në PD, kandidat për deputet si dhe Drejtues i Departamentit të Sportit në FRPD e Shqipërisë. Drejtimi i degës lokale të PD në një qytet si Shkodra e kulturës dhe traditës, bastion i demokracisë, zemra e zhvillimeve të mëdha politike që sollën për Shqipërinë ndryshimin e shumë pritur pas viteve të erreta të diktaturës, për mua do të jetë përgjegjësi, sfidë e privilegj për të dhënë më të mirën me angazhim maksimal.
Si opozitë kemi përpara sfida të mëdha, por edhe një përgjegjësi të rëndësishme: të përfaqësojmë me dinjitet interesat e qytetarëve dhe të ndërtojmë një alternativë të fortë politike. Me një parti të bashkuar, me struktura të forta dhe me një program të qartë për zhvillimin e bashkisë tonë, jam i bindur se mund të arrijmë një fitore të merituar për Shkodrën dhe demokratët. Për këtë arsye kërkoj besimin dhe mbështetjen tuaj në këtë garë, të kësaj të diele 15 Mars 2026, në teatrin “Migjeni” ora 08-18;00 ,duke me dhënë votëbesimin për drejtimin e degës së PD Shkodër. Me bindjen se së bashku mund të ndërtojmë një PD më të fortë, më të bashkuar dhe më pranë qytetarëve, të gatshme për sfidat e mëdha që kemi përpara.






