Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela nxorri këtë të mërkurë qarkoren për “Për masat administrative dhe procedurale në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore 2023 si dhe Urdhrin për “Caktimin e personelit në zbatim të udhëzimit të përgjithshëm nr. 3/2019, i ndryshuar për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore 2023”.
Me anë të kësaj qarkoreje, Prokurori i Përgjithshëm kërkon nga drejtuesit e prokurorive të rretheve gjyqësore, të marrin masa për organizimin dhe funksionimin e gatishmërisë së përforcuar në prokuroritë që drejtojnë duke filluar me datë 14 prill 2023 që sipas ligjit fillon fushata zgjedhore deri me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga KQZ-ja të organeve të qeverisjes vendore në njësitë administrative që mbulon rrethi gjyqësor i asaj prokurorie.
Nga ana tjetër, drejtuesit e prokurorive dhe prokurorët duhet të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet dhe në afate optimale, çdo referim dhe/ose kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor, për kryerjen e hetimeve proaktive, dhe/ose përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit sipas ligjit, si dhe rritjen e intensitetit të hetimeve për këto grupvepra penale.
Sipas qarkores, prokurorët në kërkesat për caktimin e masave të sigurimit personal dhe për caktimin e masave të dënimit për këto grupvepra penale, duhet të bëjnë kujdes dhe vlerësojnë ashpërsimin e kërkimeve, si për llojin e masave të sigurimit personal, ashtu dhe për llojin dhe masat e dënimit për veprat penale në fushën e zgjedhjeve që janë më të përhapura dhe me tendencë në rritje në shkallë vendi, apo në njësitë administrative në kompetencë tokësore të rrethit gjyqësor të gjykatës pranë të cilës ushtron funksionet ajo prokurori.
Ndërkohë, struktura përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme dhe drejtuesit e prokurorive e prokurori për marrëdhëniet me publikun ne secilën prokurori, marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar dhe shkëmbyer informacione dhe dërgimin Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.