Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar raportin përfundimtar me gjetjet dhe rekomandimet pas monitorimit të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Në raport thuhet se që në nisje të fushatës zgjedhore nuk janë respektuar afatet, duke krijuar kushte për garë të pabarabartë midis subjekteve politike. Komiteti ka evidentuar shkelje në shpërndarjen e materialeve zgjedhore, parregullsi në listat emërore si dhe intimidime të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka nënvizuar praninë e personave të paautorizuar nëpër qendrat e votimit, duke cenuar lirinë e qytetarëve për të shprehur vullnetin e votës. Prezenca e personave të paautorizuar ishte edhe në procesin e numërimit. Tjetër shkelje e evidentuar ishin raste të votimit familjar. Vëzhguesit e KShH konstatuan shkelje në masë të parashikimeve të heshtjes zgjedhore. Veç faktit që procesi ka nisur me vonesë në bashkitë ku u votua elektronikisht, KShH thotë se qytetarët patën vështirësi në përdorimin e tyre, duke shkaktuar konfuzion në votim. Nga monitorimi i zbatimit të publikimit në kohë të listave të zgjedhësve sipas pikës 3 të nenit 56 të Kodit Zgjedhor, rezultoi se në disa Bashki, pwrfshirw edhe Shkodrwn kishte mungesa apo mospublikime të tërësishme të listave sipas afateve të caktuara. Gjithashtu, listat fizike të zgjedhësve vijojnë të pozicionohen në vende të cilat krijojnë vështirësi në aksesin e votuesve. Pavarësisht masave paraprake të ndërmarra nga Prokuroria e Përgjithshme dhe KQZ për zbatimin e procesit të dekriminalizimit , gjatë periudhës zgjedhore Maj 2023 rezultoi se procesi i verifikimit të të dhënave të pasqyruara në formularët e vetëdeklarimit ende nuk kishte përfunduar. KShH, gjithashtu, konstaton me shqetësim se asnjë prej partive politike nuk ka ushtruar të drejtën për të kërkuar verifikim të thelluar për kandidatët e mundshëm të tyre, duke treguar mungesë interesi për rëndësinë që ka zbatimi efektik dhe në kohë i këtij ligji. Mungesa e hetimeve të shpejta, transparente, të gjithëanshme, si dhe mungesa e ofrimit të një mbrojtje efektive ndaj kallëzuesve të krimeve zgjedhore, janë elementë të përsëritur edhe përgjatë këtyre zgjedhjeve.






