Ballina Kronike Zbardhen dëshmitë për plagosjen në Shkodër, konflikti nisi për …

Zbardhen dëshmitë për plagosjen në Shkodër, konflikti nisi për …

Screenshot

Janë zbardhur dëshmitë e dy personave të përfshirë në plagosjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Shkodër. Shtetasi Genc Hoxha, i cili mbeti i plagosur lehtë në këmbë, dhe Izvin Gucija, i dyshuar si autor i plagosjes, kanë dhënë versionet e tyre përpara policisë lidhur me ngjarjen. Sipas informacioneve paraprake, konflikti dyshohet të ketë nisur për një shumë prej 10 mijë lekësh të vjetra, megjithëse dy personat njiheshin më herët me njëri-tjetrin.

Sipas dëshmisë së Izvin Gucisë, 45-vjeçari Genc Hoxha kishte shkuar në servisin e tij për të riparuar grupin e timonit të automjetit. Gucija ka deklaruar se nuk kishte në dispozicion një pjesë të re, por vetëm një të përdorur. Pas një bisede mes tyre, palët nuk kanë arritur të bien dakord dhe, sipas tij, ai i ka marrë Hoxhës 10 mijë lekë të vjetra për kontrollin e bërë në automjet.

Po sipas Gucisë, gjatë largimit nga servisi, Hoxha ka nisur një debat duke i thënë “përse më sheh” dhe duke e ofenduar. Ai ka pretenduar se nuk i është kundërpërgjigjur për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, pasi ishte duke agjëruar.

Mbrëmjen e djeshme, një ditë pas debatit të parë, dy personat janë takuar sërish në një rrugicë, vetëm pak metra larg servisit. Sipas autorit të dyshuar, Hoxha e ka ofenduar përsëri dhe ka tentuar ta godasë me sende të forta. Në këto rrethana, Gucija ka deklaruar para policisë se ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar drejt këmbës së tij në formë vetëmbrojtjeje, pa pasur qëllim ta vriste.

Nga ana tjetër, i plagosuri Genc Hoxha ka mohuar të ketë qenë shkaktari i konfliktit. Ai ka deklaruar se po përpiqeshin vetëm të sqaroheshin, kur pronari i servisit ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të tij. Hoxha ka mohuar gjithashtu të ketë ofenduar Gucinë, duke theksuar se ka mbajtur një sjellje normale gjatë gjithë kohës.

Në vendngjarje, policia e Shkodrës ka gjetur një gëzhojë, e cila dyshohet se i përket armës së përdorur në plagosje. Po ashtu është sekuestruar edhe pistoleta, të cilën autori i dyshuar e ka dorëzuar në momentin e arrestimit, vetëm pak minuta pas ngjarjes, pranë banesës së tij.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks