Mesazhet dhe fotografitë e gjetura në të paktën 10 aparate celulare, të sekuestruara katër personave të dyshuar si autorë të vrasjes së Hysni Ymerit në Shkodër, kanë bindur policinë për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale.
Burime për “Ora News” bëjnë me dije se në disa prej mesazheve janë zbuluar të dhëna që lidhen drejtpërdrejt me organizimin e atentatit me eksploziv.
Rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 25 dhjetor, një kamerë sigurie ka fiksuar Gerti Bushatin duke lëvizur në pallatin ku u shënua krimi në zonën e njohur si Perash, në Shkodër.
Në telefonin e tij është gjetur një foto e të njëjtës datë e orë ku shihet një qese e bardhë, brenda së cilës dyshohet se ndodhej lënda shpërthyese që do të aktivizohej dy ditë më pas.
Ky i fundit gjatë dëshmisë në policinë e Shkodrës pasi u vu në pranga ka pranuar autorësinë dhe ka dhënë emrat e tre të arrestuarve të tjerë si porositës, duke ngulmuar se nuk e dinte se ishte pjesë e një plani për vrasje.
Ai ka pretenduar se i kanë thënë se bëhet fjalë vetëm për një formë frikësimi.
Por tre të arrestuarit e tjerë i kanë mohuar këto deklarime.
Burime të tjera konfirmojnë se nga telefoni i njërit prej të ndaluarve është siguruar edhe një foto tjetër, ku dallohet një lëndë plasëse e ndërtuar në mënyrë artizanale së bashku me një telekomandë.
Policia ka dyshime të forta se të katër personat janë paguar për vendosjen e eksplozivit në pallatin ku jetonte shënjestra që mbeti viktimë e sulmit.
Hetuesit po zgjerojnë verifikimet edhe për vepra të tjera të mundshme të kryera nga të njëjtët persona, pasi nga këqyrja e telefonave janë gjetur foto të llojeve të ndryshme të drogës dhe armëve të zjarrit.
Për policinë mbetet ende mister kush është porositësi i vërtetë i vrasjes, pasi viktima nuk rezulton të ketë pasur konflikte me askënd. Të njëjtin version ka dhënë edhe djali i 69-vjeçarit, i cili ka deklaruar se nuk beson tek pista e gjakmarrjes.






