Një 51-vjeçar është vrarë ditën e sotme në Shkodër. Petrit Vuksani ishte kthyer nga Anglia para një muaji, por gjeti vdekjen në banesën e tij. Shkak i vrasjes dyshohet të jetë bërë qiraja e shtëpisë që Petrit Vuksani ia kishte lënë të afërmit të tij, Lekë Vuksanit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 12:15, në lagjen ‘Tom Kola’. Burimet bëjnë me dije se Petrit Vuksani dhe Lekë Vuksani janë konfliktuar fillimisht brenda banesës për çështjen e qirasë. Petrit Vuksani i ka kërkuar paratë dhe ata kanë debatuar. Më pas dyshohet se Lekë Vuksani e ka qëlluar me armë zjarri automatik, Petrit Vuksanin dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Newspower ka siguruar foton e viktimës Vuksani, si edhe sjell pamjet nga vendi i ngjarjes. Në zonën ku ka ndodhur vrasja ka edhe kamera sigurie që mund të ndihmojnë grupin hetimor për në gjurmët e autorit, Lekë Vuksani. Ndërkohë, janë ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e tij.






