Teksa katër personat e arrestuar në Shkodër si autor të dyshuar për vrasjen me tritol të 67-vjeçarit Hysni Ymeri, pritet të dalin të hënën në gjykatë për caktim mase sigurie, “News 24” ka mësuar detaje të reja nga hetimet e kryera deri më tani. Njëri prej të arrestuarve, Gerti Bushati dyshohet të jetë paguar 1 mijë euro për të vendosur lëndën plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte Ymeri, më datë 27 dhjetor, dy ditë para se të bëhej shpërthimi i telekomanduar.
Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij. Nuk dihet nëse të riut i ishin premtuar para të tjera ose jo. Burime nga grupi hetimor konfimojnë për News 24 se Bushati u tradhtua nga kamerat e sigurisë teksa është fiksuar duke kaluar në zonë, por edhe gjatë kohës që ka ndërruar rrobat pasi vendosi lëndën plasëse.
27-vjeçari Bushati shfaqet i veshur me kominoshe të cilat i kishte veshur sipër rrobave të tjera dhe pasi largohet nga zona, heq kominoshet dhe i hedh në anë të lumit. E gjithë skena është fiksuar nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë, ndërsa rrobat e përdorura prej tij tashmë janë sekuestruar nga hetuesit.
Në sajë të hetimeve të kryera, hetuesit zbuluan se ditën e ngjarjes, në lagjen “Manush Alimani”, ndodheshin edhe dy të arrestuarit Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj. Grupi hetimor ka dyshime të forta se shpërthimi i telekomanduar të jetë bërë nga Ergys Ibrahimi, sapo 67-vjeçari Hysni Ymeri ishte duke u ngjitur për në banesë.
Fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, deklaratë që më pas u kundërshtua nga OSHEE.
Pas ngjarjes, të dyshuarit u shoqëruan në polici dhe u mbajtën në përgjim ambiental nga policia. Por pa e ditur këtë detaj, të dyshuarit kishin nisur të komunikonin me njëri-tjetrin.
Të arrestuarit nuk kanë konflikte direkte me viktimën, ndërsa hetuesit nuk kanë ende të qartë se kush është porositësi i vërtetë i krimit, apo edhe motivi i vrasjes së 67-vjeçarit.
Të arrestuarit do të përballen në hënën në gjykatë për një sërë veprash penale, si “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; armëmbajtje pa leje, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim; dhe “Prishja e qetësisë publike”./balkanweb






