Teksa bëhen gati 7 muaj nga ngjarja e rëndë ku 14- vjeçari Martin Cani u qëllua për vdekje me thikë nga bashkëmoshatari e tij, janë publikuar pamjet e krimit të rëndë. Ngjarja ndodhi pak metra larg shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku Cani nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe për pasojë ndërroi jetë në spital.
Pamjet janë bërë publike nga gazetari Eraldo Harlicaj, ku shihet se Martini dhe bashkë me shokun e tij shkojnë për tu “sqaruar” te vendi, ku dhe ndodhi vrasja.
Në video shihet Martin Cani dhe Mario Përlleshaj teksa ecin të dy krah njëri-tjetrit, ndërkohë që pas tyre shkojnë edhe shokët ë tjerë, mes tyre edhe Luis Meçaj, miku i 14-vjeçarit, që po ashtu mbeti i plagosur në atë ngjarje.
Pasi kanë hyrë në një rrugë që nuk ka qenë e monitoruar me kamera, ka ndodhur konflikti fizik dhe pak momente më vonë shihen të gjithë duke vrapuar mes tyre dhe Martini i cili mban dorën në plagën që mori në zemër, e ndërsa pas tij duket dhe Mario Përllashaj, me thikë në dorë.
Sipas gazetarit, në momentin e bisedës mes tyre, referuar dhe deklarimeve në gjyq, ka qenë një nga djemtë e tjerë, jo Martini, që ka goditur i pari Marion në hundë. Më pas sherri ka agravuar, duke i marrë jetën Martinit dhe duke plagosur Luisin.
Krimi i rëndë u regjistrua më 18 nëntor 2024 në Tiranë, nga një bashkëmoshatar vetëm 200 metër larg shkollës “Fan Noli”. Ngjarja ndodhi 3 ditë pasi kishte lindur konflikti mes dy adoleshentëve brenda shkollës, për motive banale, i cili në dukje u mbyll, por që u rindez sërish./shqiptarja.com