Para 109 vitesh u shua një nga figurat qendrore të çështjes kombëtare, Isa Boletini. Ai lindi në Boletin të Mitrovicës, më 15 janar 1864 dhe ndërroi jetë në Podgoricë më 23 janar 1916, pas një atentati nga shovinistët malazezë, ku mbetën të vrarë edhe djemtë e tij, Halili dhe Zahidi, nipërit si dhe luftëtarë të tjerë. Isa Boletini, udhëhoqi forcat kryengritëse për çlirim nga pushtuesit osmanë më 1912, duke qenë përkrah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Boletini ishte pjesëmarrës në rini në veprimtarinë e Lidhjes së Prizrenit. Më pas shërbeu si kryetar i rojave të pallatit sulltanor, prej ku u kthye me grada dhe çifligje. Pas ardhjes së xhonturqve dhe reformave të ndërmarra prej tyre, ai drejtoi kryengritjet e 1910 dhe atë të 1912.
Ishte edhe një ndër personat afër princ Vidit gjatë sundimit të tij në Shqipëri. Më 1913, si anëtar i delegacionit shqiptar, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, ku protestoi me forcë kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë. Më vonë, Isa Boletini kaloi përsëri në Kosovë, ku organizoi qëndresën popullore kundër pushtuesve të rinj serbo-malazezë. Duke e kaluar jetën në luftë e përpjekje dhe me urtësinë e tij, fitoi autoritet të madh si udhëheqës popullor. Isa Boletini e lidhi jetën e tij dhe të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët “Unë jam mirë, kur asht mirë Shqypnia”.
Lideri i krahut ushtarak të Ismail Qemalit, ishte ushtar dhe pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit më 1878. Ai kishte shkuar në Vlorë me 24-25 nëntor 1912 dhe këtë e dëshmon një fotografi, tek ecë çarshisë së Vlorës me trimat e tij, por për arsye ende të pazbardhura nga historiografia, nuk ka arritur në aktin e shpalljes së pavarësisë në Vlorë.
VRASJA
Me 19 janar 1916 në Podgoricë, te Ura e Ribnicës, i zënë me pabesi nga malazezët, vritet Isa Boletini. Milovan Djilas, shkrimtar dhe politikan gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, e përshkruan Isa Boletinin në romanin “Besudna zemlja (Vendi i pafat)”, me një dozë admirimi për figurën e luftëtarit shqiptar. Ai sjell një dëshmi të babait të tij, Nikolla Djilas, njeriu që kishte vrarë me dorën e vet Isa Boletinin. Falë talentit si shkrimtar atij i ra fati ta përshkruante vrasjen e Boletinit.
“Vendi i pafat” ose “Toka pa drejtësi” u botua në anglisht në Nju Jork në vitin 1956 dhe kritika letrare amerikane e cilësoi atë si një nga veprat më të mira të botës komuniste. “Pra, për disa gjithë të mirat, për të tjerët gjithë më e keqja, nuk ka rrugë të mesme siç i ka hije, kampioni shqiptar i përket një kohe tjetër, botës së djeshme”,-shkruante ai. Isa Boletini u varros dy ditë pas vrasjes në Podgoricë, në një ceremoni ku morën pjesë një numër i madh njerëzish. Në vitin 1973, u bë kërkesa e parë për kthimin e eshtrave në vendlindje. Falë përpjekjeve të familjarëve dhe studiueseve varri u zbulua dhe më 15 nëntor të vitit 1979 u krye zhvarrimi.
Ndërkohë, pas 100- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, nisi procesi i verifikimit të eshtrave për të kryer një ceremoni zyrtare varrimi. Instituti i Mjekësisë Ligjore në Universitetin e Strasburgut, në janar të vitit 2014, konfirmoi se eshtrat e dërguara për ekzaminim ishin të Isa Boletinit. Më 10 qershor 2015, Isa Boletini u varros në oborrin e kullës së tij në Buletin të Mitrovicës. Për Isën shkroi Aubrey Herbert “A meeting with Isa Boletini” (Një takim me Isa Boletinin) më 1912, monografia e Skënder Luarasit botuar më 1972 dhe e Fatmire Musës më 1987. Ndër botimet enciklopedike shquhet zëri i tij në “Fjalorin historik” të Robert Elsie botuar në gjuhën shqipe më 2011 si dhe në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” të vitit 1985 dhe 2011, zëri “Isa Boletini” në Enciklopedinë e Jugosllavisë botuar më 1982.