Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Tiranë, ku u vra brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, gjyqtari Astrit Kalaja, Këshilli i Ministrave ka vendosur që të rrisë masat e sigurisë për prokurorët e SPAK dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të hetimit.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave është marrë vendimi që prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK dhe GJKKO si dhe Drejtori i BKH të mbrohen me truprojë.
Vendimi:
-Ndryshim në vendimin nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
Në Pikën 3 te vendimit “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij.”.