Një arsenal armësh është gjetur në Nikël të Fushë-Krujës. Arsenali u gjet gjatë kontrolleve të ushtruara nga RENEA për atentatin e ndodhur më 11 nëntor pranë Aeroportit të Rinasit, ku u vra Gilmando Dani dhe u plagos rëndë miku i tij, Muçi Shaljani alias Sheqeri, agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Poseduesi i armëve është shpallur në kërkim dhe dyshohet se është personi që iu ka siguruar armët atentatorëve.

Janë gjetur municione të ndryshme si armë automatikë, mitroloz, granata, fishekë të kalibrave te ndryshme, fitil zjarrpërcjellës, granata si dhe lëndë plasëse të lidhura me celularë për shpërthime në distancë.

Atentati ndodhi mesditën e 11 nëntorit pasi Gilmando Dani dhe miku i tij, Muçi Shaljani sapo ishin kthyer nga Barcelona. Autorët, me një automjet tip “Toytora” i pritën në rrethrrotullimin e Rinasit për të paktën 10 minuta. Sapo Mercedezi i bardhë, në të cilën ndodheshin, Dani ( që dyshohet se ka qenë shënjestra) dhe Shaljani, kanë qëlluar me breshëri në drejtim të tyre.  Makina e autorëve të krimit ishte vjedhur në Greqi më 22 tetor 2023, ndërsa targat po greke, rezultuan të vjedhura një vit më pas, në 2024.

Në automjetin Toyota ndodheshin 4 persona. Tre dolën nga makina dhe qëlluan me breshëri ndaj makinës ku ndodhej Dani, dhe mendohet se ishin persona të stërvitur për të qëlluar. Tjetri në timon nuk doli nga makina, derisa u larguan drejt Fushë-Krujës dhe dogjën makinën në fshatin Halil.
Gilmando Dani, fitoi lirinë në 2024-ën, ai konsiderohet si një ndër njerëzit e besuar të Emiljano Shullazit, personazhit të njohur të botës së krimit, në burg, i akuzuar për një sërë veprash penale. Deri më tani, vrasja, edhe pse i ka të gjitha elementët e grupit të strukturuar kriminal, po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, dhe ende nuk i është bërë një kërkesë SPAK-ut për ta marrë ai në dorë.

Shaljani (Sheqeri) ishte prej shtatorit punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Sipas verifikimeve të deritanishme, shkeljet janë të rënda për mënyrën e rekrutimit të tij në Agjencinë që heton punonjësit e policisë. Burimet bënë me dije se Shaljani ishte bërë pjesë e AMP-së me një kontratë provizore pune për 3 muaj në shtator, periudhë në të cilën institucionin e drejtonte Artiol Saliasi, i komanduar, e cila përfundon në mes të muajit dhjetor.

Burime pranë DSIK-së, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së, thanë se Sheqeri nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie dhe as të ketë aplikuar për të.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu