Apeli i Gjykatës së Posaçme ka vendosur të lërë në burg Safet Bajrin, Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin. Të tre janë arrestuar në lidhje me përfshirjen e dyshuar të tyre në vrasjen e Fatbardh Licit, ngjarje e ndodhur në vitin 2018. Në seancë, Safet Bajri nuk i ka cilësuar përgjimet si një provë që vërtetojnë akuzat ndaj tij.
“S’e kuptoj se si mund të quhen prova këto përgjime pa lidhje. Unë në diskotekë dhe restorant peshku kam qenë atë ditë. Me ikur në shtëpi, nga ajo rrugë do të kaloj, ku kam kaluar gjithmonë”, ka thënë ai.
Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), vrasja e Fatbardh Licit u krye në kushte të grupit të strukturuar kriminal, me dyshimin se Ibrahim Lici, i afërmi i tij, ishte përgjegjës për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana më 15 korrik 2018.
Më 10 gusht 2018, Fatbardh Lici u ekzekutua me breshëri automatiku ndërsa ndodhej në një lokal në lagjen Kiras të Shkodrës. Një person zbriti nga një automjet tip “Benz” pa targa dhe e qëlloi atë, duke e lënë të vdekur./BW