Në Shqipëri, sistemi i prokurorisë prej disa vitesh po vuan pasojat e largimit të prokurorëve për shkak të Vetting-ut. Në 15 organet e hetimit të juridiksionit të përgjithshëm, mungojnë 40% e tyre duke trefishuar punën për prokurorët në detyrë.

Njohës të fushës jurdike i thanë Zërit të Amerikës, se kjo ngarkesë, po vë në rrezik cilësinë e hetimit.

Drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme, e pranojnë problematikën dhe thonë se boshllëqet në sistem parashikohet të plotësohen pas 5 vitesh.

Ndërkaq ata sqarojnë se për të përballuar ngarkesën janë marrë masa duke shtuar oficerët e policisë gjyqësore, të cilët janë një hallkë mbështetëse e rëndësishme për prokurorët në proceset hetimore.

Prej më shumë se 6 vitesh, që kur procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve filloi të japë efektet e para, trupa e prokurorëve erdhi duke u reduktuar dhe sot janë në sistem 193 nga 320 prokurorë, ose 60 % e tyre.

Prokurorët sipas Kodit të Procedurës Penale kanë afate në hetimin e çështjeve.

Të ndodhur nën presionin e kohës për të shqyrtuar dosjet, trupat e hetimit, kanë rritur volumin e punës.

Prokuroria e Përgjithshme i konfirmoi Zërit të Amerikës se numri çështjeve që shqyrton mesatarisht në vit një prokuror arrin deri në 500 nga 150 -200, që shqyrtonte para se të niste Vetting-u.

Por e gjithë kjo ngarkesë sipas avokatit Redi Ramaj, po rrezikon cilësinë e hetimit.

“Si mundet që gjithë këto dosje të hetohen nga një prokuror. Kemi magësi me aktet e ekspertimit që kryen prokurori, pra me marrjen e përgjigjes së tyre. Kemi mangësi me vonesa të mëdha në pyetjen e dëshmitarëve.

Kemi mëngësi me thirrjen e personave të pandehur dhe pyetjen e tyre dhe më pas dhe me komunikimin e akuzave.

Janë të shumta rastet kur hetimet kanë arritur deri në limit, duke mos kryer hetimet e kërkuar nga pala mbrojtëse apo dhe duke u kthyer dosjet nga gjykata për hetime të mëtejshme në prokurori.

Kjo është problematike për qytetarët sepse bie cilësia e hetimit”- thotë për Zërin e Amerikës Redi Ramaj, avokat.

Edhe avokati Dritan Jahaj, tha për Zërin e Amerikës se gjatë ushtrimit të profesionit të tij ka konstatuar, se boshlleqet në trupën e prokurorëve kanë shkaktuar disa problematika, ndërsa evidenton faktin se është zgjatur edhe koha e marrjes në shqyrtim të kallëzimeve.

“Elementë të tjerë që vihen re në praktikën tonë të përditshme lidhen me faktin e moskryerjes së disa veprimeve hetimore, kjo me të drejtë, për shkak të ngarkesës së prokurorëve.

Nuk e kanë kohën e duhur që duhet të marrë një prokuror për një hetim të mirë. Kjo ka bërë që mjaft dosje të vijnë të copëtuara në gjykatë, përsa i takon veprimeve hetimore”-thotë avokati Jahaj.

Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës si një nga institucionet më të mëdha të hetimit në vend, në përgjigje të interesit të Zërit të Amerikës konfirmoi se rritja e numrit të çështjeve për një prokuror ka sjellë rritje të kohës së shqyrtimt të një çështjeje, për kryerjen e veprimeve procedurale, ndërsa nuk iu përgjigj pyetjes nëse është dëmtuar cilësia e hetimit për shkak të ngarkesës.

Një prokuror mesatarisht merr pjesë në 5 gjyqe në ditë, sqaron Prokuroria e Tiranës, dhe se në varësi të seksionit dhe veprës penale ky numër mund të ndryshojë. Ja si e shpjegon avokati Ramaj këtë situatë.

“Prokurori mund të jetë i gatshëm dhe ta kalojë gjithë ditën me masa sigurie në gjykatë, nuk ka kohë për të kryer hetime.

Ngarkesa me seanca gjyqësore, çdo ditë dhe në çdo orar, e bën të pamundur që prokurori, në orarin zyrtar, përveç pjesmarrjes në seanca gjyqësore dhe formulimit të akuzës, të kryejë dhe hetime të tjera të nevojshme për dosjen, apo dosje të tjera që i ka në proces”- vijon Z.Ramaj.

Drejtues të Prokurorisë së Përgjithshme janë të vetëdijshëm për vështirësitë e shfaqura, si pasojë e volumit të lartë të punës së prokrurorëve.

Kostaq Beluri, Prokuror, Drejtor i koordinimit në këtë institucion i tha Zërit të Amerikës, se janë shfrytëzuar hapësirat ligjore për të ruajtur cilësinë.

“Nuk diskutohet që ngarkesa në punë do ndikojë në cilësinë e hetimit, por në udhëzimet dhe sugjerimet tona, kemi sakrifikuar më shumë në zgjatjen e afateve të hetimit, se sa në uljen e cilësisë.

Pra ne e kemi pranuar me logjikë, që më mirë një çështje të zgjasë në afat dhe të kryhen të gjitha veprimet e duhuara hetimore, se sa të mundohemi ta mbarojmë sa më shpejt dhe të ulim cilësinë në hetimin e çështjeve.

Por situata nuk është e njëjtë përshembull, krahasuar me SPAK-un.

Unë e kam thënë gjithmonë, është sakrificë të punosh në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe të bësh çështje të suksesshme, sepse nuk ka mbështjetjen dhe infrastrukturën që duhet të ketë kjo prokurori”- thotë Z. Beluri.

Prokurori Beluri, veçon dhe një element tjetër që ka ndikuar në zgjatjen e kohës së hetimit. Në Kodin e Procedurës Penale, disa vite më parë u përfshi gjyqtari i hetimit paraprak, i cili kontrollon gjithë aktivitetin procedurial të prokurorit, vendos nëse një çështje kalon për gjykim, kthehet sërish për hetime të mëtejshme apo pushohet.

“Një nga ndryshimet e rëndësishme është përfshirja e hallkës së gjyqtarit të hetimit paraprak, në Kodin e Procedurës Penale.

Kjo hallkë zgjati procesin e ushtrimit të ndjekjes penale, krijoi vështirësi në kohëzgjatjen e një hetimi, i cili patjetër ka patur dhe pasoja në proces”-vijon Kostaq Beluri, Prokuror, Drejtor i Drejtorisë së Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme.

Përfaqësues të komunitettit të avokatëve, e shohin zgjatjen e kohës së hetimit deri në limit të afateve të vendosura në ligj, si shkelje të lirive dhe të të drejtave njeriut, pasi mjaft qytetarë që shpallen të pafajshëm qëndrojnë nën akuzë apo iu cënohet liria më gjatë.

Nga ana tjetër njohës të fushës së drejtësisë ngulmojnë në shtimin e burimeve njerëzore, dhe të stafit mbështetës të prokurorëve me qëllim rritjen e efektivitetit të punës së tyre. Ndryshe nga gjyqtarët, prokurorët nuk kanë sekretarë, ndërsa numri i oficerëve të policisë gjyqësore është i reduktuar.

“Një prokuror nuk ka ndihmën e nevojshme, duhet të ketë një ose dy oficerë të policisë gjyqësore që mbulojnë hetimet për një prokuror. Nuk kanë kushtet minimale. Nëse shkon në prokurorinë e Tiranës, do shohësh që zyrat e prokurorëve janë më të vogla se qelitë, janë të tejmbushura më dosje deri në tavan”-vijon Dritan Jahaj, avokat.

Prokuroria e Tiranës në përgjigje të interesit të Zërit të Amerikës tha se- “do të ishte një ndihmë e shtuar për prokurorin nëse do të kishte një sekretar, i cili do ta lehtësonte në punët me natyrë procedurale dhe organizimin e çështjeve”.

Nga ana tjetër Prokurori Kostaq Beluri në Prokurorinë e Përgjithshme sqaron për Zërin e Amerikës, se strategjia e këtij institucioni për të ulur ngarkesën e prokurorëve, synon rritjen e numrit të oficerëve të policisë gjyqësore.

60 të tillë janë shtuar në sistem duke bërë të mundur që numri i prokurorëve që janë në detyrë aktualisht të jetë i barabartë më atë të oficerëve të policsë gjyqësore.

Por me plotësimin e vendeve vakante në trupën e prokurorëve ky raport pritet të ndryshojë në dëm të prokurorëve. Një hallkë e rëndësishme në shfryrjen e ngarkesës sqaron Z. Beluri, do ishte ndihmësi i prokurorit, që aktualisht nuk parashikohet në ligj.

“Krahasuar dhe me organizimin e punës që bëhet në vende të tjera ndihmësi do ishte shumë i nevojshëm në prokurori.

Ndihmësi do të bënte ato veprime që ne sot mundohemi t’ia ngarkojmë oficerit të policisë gjyqësore, që nuk i takon. Është një variant që po diskutohet”thotë Prokuror Beluri.

Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë së Përgjithshme harta e re gjyqësore që solli bashkimin e disa gjykatave dhe për pasojë dhe të disa prokurorive, ka sjellë vështirësi në insfrastrukturë, kryesisht në Prokuroritë e Tiranës, Durrësit, Fierit apo Gjirokastrës.

Ekspertë të fushës juridike, nxisin ndryshime ligjore në funksion të përmirësimit të situatës në organet e hetimit.

“Ndryshimet kushtetuese që sollën reformën në drejtësi, duhen parë, por që të rishihen duhet bashkëpunim midis forcave politike. Mbase duhen ndryshime në kushtetutë.

Çfarë nuk shkoi mirë të rregullohet” – shprehet për Zërin e Amerikës Saimir Vishaj, Avokat.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke marrë në konsideratë trendin e largimeve nga Vetting dhe prurjet nga shkolla e magjistraturës në sistemin e prokurorisë, jep këtë prognozë për të ardhmen.

“Nëse do të kemi parasysh trendin mendojmë se për 3 vite kalon emergjenca dhe për 5 vite situata shkon në normalitet” – thotë për Zërin e Amerikës Tartar Bazaj, Zv. Kryetar i KLP-së.

Sistemi i drejtësisë, gjykatat dhe prokuroritë kanë sot në detyrë 60% të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe prej disa vitesh po vuajnë pasojat e Vetting-ut. Prokuroria po ndeshet me një volum të lartë dojsesh, për shkak të boshllëqeve në sistem gjë që po vë në dyshim cilësinë e hetimit.

Nga ana tjetër edhe stoku i dosjeve në gjykata ka arritur në 114 mijë dhe ngarkesa e gjyqtarëve është rritur.

Prognozat nuk janë optimiste dhe qytetarët pritet të ndeshen së paku edhe për 5 vitet e ardhshme me vonesa në dhënien e drejtësisë./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu