Vllaznia vazhdon përgatitjet e saj për ballafaqimet europiane, ku me datë 11 dhe 17 korrik do të luaje në turin e parë të Conferencë League me skuadrën islandeze, Valur. Pas pjesë së parë stërvitore të zhvilluar në Shkodër, prej 5-6 ditësh, skuadra është zhvendosur në Bosnjë-Hercegovinës për të zhvilluar atje pjesën më intensive të përgatitjeve për ndeshjet europiane. Të vendosur në kampingun stërvitor në Medjugorje, kontigjenti kuqeblu i drejtuar nga një staf teknik i zgjeruar me në krye trajnerin Thomas Brdariç ka në program nga dy seanca stërvitore në ditë. Përgjithësisht, situata në kampin kuqeblu duket pozitive, përfshirë edhe kondicionin fizik, ku për momentin nuk shfaqet asnjë futbollist me probleme dëmtimi. Një situatë që e ka lënë të kënaqur edhe trajnerin Thomas Brdariç, i cili duke folur për faqen zyrtare të klubit kuqeblu, është shprehur optimist për ecurinë pozitive të ditëve përgatitore. “Përgatitjet e ekipit këtu në Medjugore po shkojnë mirë. Jemi akoma në pikun e ngarkesave të larta fizike dhe të gjithë janë të përfshirë në mënyrë që të jenë pjesë e Vllaznisë së re. Të gjithë së bashku po shkojmë në drejtimin e duhur, të ndërtojmë një Vllazni të fortë. Të premten luajmë miqësoren kundër Zrinjskit dhe gradualisht do të fillojmë të mendojmë për ndeshjet europiane”. Gjithnjë nga burimet brenda klubit kuqeblu, gjatë qëndrimit në Bosnje, Vllaznia pritet të zhvillojë edhe një tjetër miqësore me një nga skuadrat që është duke u përgatitur në kampingun boshnjak. Me fillimin e muajit korrik, Vllaznia pritet të kthehet në Shkodër, ku krahas përgatitjeve të fundit përpara nisjes drejt Islandës për ndeshjen e parë europiane, ka në program të zhvillojë edhe një tjetër miqësore, që me të gjitha gjasat do të jetë ajo me skuadrën kampione të Malit të Zi, Deçiq.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu