Penalltia e pa dhënë në ndeshjen Bylis–Vllaznia ka marrë një vëmendje të madhe në opinionin sportiv. Më të shqetësuarit në këtë drejtim janë në Klubin e Futbollit Vllaznia, të cilët, me një shkresë zyrtare drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit, kërkojnë riluajtjen e ndeshjes, si dhe përjashtimin e arbitres Emanuela Rrusta nga të gjitha ndeshjet e Vllaznisë, në të gjitha kategoritë.
Sipas tyre, arbitrja kryesore Emanuela Rrusta, në rastin më të mirë nga paaftësia dhe në rastin më të keq nga influenca e palëve të treta, ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes. Për këtë arsye, i është kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit mospërfshirja e arbitres Emanuela Rrusta në asnjë trupë gjykuese (si kryesore, asistente, arbitre e katërt, në VAR apo AVAR) në asnjë prej ndeshjeve ku luan Vllaznia apo ekipet e Akademisë Vllaznia.
Ndërkohë, sa i përket ndeshjes së ardhshme, java e 26-të e Kampionatit Kombëtar “Abissnet Superiore” do të luhet në dy ditë. Ajo do të hapet të premten, më 27 shkurt, me klasiken e futbollit shqiptar, Vllaznia–Tirana, takim i cili do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 19:00.
Më pas, të shtunën, më 28 shkurt, në garë do të jenë katër duelet e tjera që mbyllin javën e 26-të. E shtuna nis me përballjen Vora–Dinamo, takim i cili do të luhet në stadiumin e Vorës. Në orën 16:30 janë programuar dy ndeshjet e tjera: Partizani–Egnatia dhe Elbasani–Bylis. Çifti i fundit që mbyll javën e 26-të është ai Teuta–Flamurtari, i cili do të luhet në stadiumin “Niko Dovana”, duke nisur nga ora 19:30.
Edhe pse u mund në Ballsh 2-1, Vllaznia vazhdon të kryesojë renditjen e Superiores pas javës së 25-të me 48 pikë, e ndjekur nga Egnatia dhe Elbasani me dy dhe tri pikë më pak. Ndërkohë, vendi i katërt, që siguron pjesëmarrjen në fazën finale “Final 4”, tashmë ndahet nga dy skuadra, Dinamo dhe Partizani.



