Me seancën e fundit stërvitore të zhvilluar sot, kuqeblutë kanë përmbyllur ciklin e parë të përgatitjeve trejavore në Shkodër. Kjo periudhë është karakterizuar nga një intensitet i lartë stërvitor, me seanca të dyfishta të përqendruara si në fushën e lojës ashtu edhe në palestër, për të përmirësuar aspektin fizik të skuadrës.

Gjatë kësaj kohe, skuadra ka zhvilluar dy ndeshje miqësore. E para u luajt ndaj Vllaznisë Elitë të Milanos dhe përfundoi me fitoren 3-0 për kuqeblutë. Ndërsa ndeshja e dytë u zhvillua në Tuz të Malit të Zi ndaj fituesve të Kupës vendase, Deçiç, dhe përfundoi me humbjen minimale 1-0 për Vllazninë.

Në këtë fazë janë regjistruar edhe lëvizje në përbërjen e ekipit. Së fundmi, është konfirmuar ndërprerja e bashkëpunimit me qendërmbrojtësin Serjan Repaj, i cili ishte afruar në merkaton e janarit me një kontratë deri në fund të sezonit të ardhshëm, por që nuk bënte pjesë në planet e trajnerit Edi Martini. Drejtuesit e klubit po punojnë për të ndërtuar një skuadër konkurruese për përballjet e rëndësishme në kualifikueset e UEFA Conference League, ku në turin e parë Vllaznia do të përballet me letonezët e BFC Daugavpils, më 10 korrik në “Elbasan Arena”.

Një nga objektivat e merkatos është fantazisti Sherif Kallaku. 27-vjeçari është një njohje e vjetër e trajnerit Martini, pasi kanë bashkëpunuar më parë te Teuta. Aktualisht, Kallaku është një lojtar i lirë, me kontratën që i skadon pas pak ditësh me klubin rumun Sepsi, ku ka luajtur për dy sezone. Burime nga klubi bëjnë me dije se drejtuesit e Vllaznisë kanë kontaktuar me futbollistin dhe palët janë në bisedime për detajet finale të marrëveshjes. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Kallaku pritet të mbërrijë në Shkodër për vizitat mjekësore dhe firmën në kontratë. Trajneri Martini dëshiron ta ketë fantazistin në dispozicion që në fazën e dytë përgatitore, e cila do të zhvillohet në Maribor të Sllovenisë. Prezenca e Kallakut në këtë periudhë intensive stërvitore do t’i jepte skuadrës një shtysë të madhe në ndërtimin e identitetit të lojës.

Me shtatë ndeshje të zhvilluara me Kombëtaren A, përvoja dhe cilësitë e Kallakut në rolin pas sulmuesve priten të jenë një “armë” e rëndësishme për Vllazninë, jo vetëm në objektivin për të konkurruar për titullin kampion, por edhe për të bërë një paraqitje të denjë në arenën europiane, me synimin final pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Conference League.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu