Futbollisti kosovar, Lirim Kastrati, është zyrtarisht përforcimi më i ri i Vllaznisë. 26-vjeçari ka firmosur me klubin kuqeblu pasdrekën e së mërkurës, pasi kreu me sukses testet mjekësore. Në njoftimin për shtyp klubi shkodran shkruan: ]
KF Vllaznia ka kënaqësinë të njoftojë se që nga dita e sotme, Lirim Kastrati është zyrtarisht futbollist kuqeblu. Sulmuesi 26 vjeçar që ka luajtur 17 ndeshje me kombëtaren e Kosovës, pas eksperiencës me ekipe të tilla si Dinamo Zagreb, Legia Varshavë, Lokomotiva Zagreb, Fehervar e Videoton, tashmë do të jetë pjesë e skuadrës tonë. Kastrati ka firmosur me Vllazninë kontratë njëvjeçare, me të drejtë zgjatje edhe një vit tjetër.
Nga sa mësohet prej burimeve brenda klubit, Kastrati do të mbajë fanellën me numrin 7 te Vllaznia, duke u bërë një nga afrimet më të bujshme të merkatos verore për skuadrën shkodrane. Megjithatë duket se tek Vllaznia janë të vendosur që këtë sezon të mos ndalen dhe të ketë edhe disa afrime të tjera. Në ditet në vijim pritet firma edhe me francezin 20 vjeçar Tom Saettel, ndërsa me ekipin do të kalojnë në prove edhe tre futbolliste senegaleze. Lojtaret i janë sugjeruar drejtuesve shkodranë nga presidenti i skuadrës Vllaznia Elitë në Itali, Benardin Gjekaj. Trajneri Edi Martini pritet t’i testoje në ndeshjet miqesore që do të zhvillohen në ditet në vijim.