Këshilli i Ministrave ka miratuar rregullat për përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot të Forcave të Armatosura në mbështetje të institucioneve shtetërore.

Vendimi përcakton 8 institucionet shtetërore që do kenë të drejtë të kërkojnë përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot të FA. Ky shërbim do të ofrohet për institucionet si më poshtë, vetëm në rastet kur ky shërbim nuk mund të përfitohet në mënyra dhe mjete të tjera.

a) ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë;

b) ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe institucionet në varësi;

c) ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural;

ç) ministria përgjegjëse për turizmin dhe mjedisin;

d) Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile;

dh) Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore;

e) Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor;

ë) Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Institucionet shtetërore kanë të drejtë të përdorin imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga mjetet ajrore pa pilot, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, për të përmbushur detyrimet, sipas fushës së përgjegjësisë së tyre shtetërore.

a) mbikëqyrjen e territorit për të zbuluar dhe parandaluar aktivitete të paligjshme, si: kultivimi i bimëve narkotike, kontrabanda, emigracioni i paligjshëm, shkeljet territoriale, si dhe përdorimi i paautorizuar i burimeve ujore;

b) monitorimin e kufijve;

c) monitorimin e vijës bregdetare, ku përfshihet dhe rada portuale, të shtretërve dhe brigjeve të lumenjve, përrenjve, liqeneve, pellgjeve, lagunave dhe ujëmbledhësve natyrorë apo artificialë, ishujve dhe grumbullimeve të rërës, gurëve dhe dherave në shtretërit e lumenjve, liqeneve dhe ujëmbledhësve, tokës së përftuar nga tërheqja e ujit ose nga përparimi i tokës në drejtim të ujit, kur ajo lidhet me tokën, zonave të mbrojtura mjedisore, si dhe venddepozitimeve të mbetjeve të ngurta urbane;

ç) mbështetjen në reagim të emergjencave civile në raste tërmetesh, uraganesh, përmbytjesh dhe zjarresh, duke ofruar vëzhgime ajrore për vlerësim paraprak të dëmeve;

d) monitorimin e vatrave/zonave të zjarrit, për të gjurmuar përparimin e zjarrit dhe për të identifikuar pikat e nxehta;

dh) zhvillimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit (SAR) në gjetjen e të mbijetuarve, vlerësimin e dëmtimit të infrastrukturës dhe koordinimin e përpjekjeve të ndihmës, në gjetjen e personave/mjeteve të humbura/zhdukura ose individëve të bllokuar;

e) inspektimin vizual nga ajri të infrastrukturës kritike kombëtare dhe infrastrukturës kritike me efekt ndërkombëtar;

ë) fotografimin ajror të territorit me qëllim krijimin, administrimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit gjeohapësinor për institucionet publike;

f) plotësimin e kërkesave të institucioneve publike për fotografimin ajror me qëllim krijimin e informacionit gjeohapësinor, i cili administrohet dhe koordinohet nga ASIG-u;

g) kryerjen e studimeve dhe kërkimeve shkencore që ndikojnë pozitivisht në fuqizimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë e të mbrojtjes;

gj) mbështetjen e operacioneve të rëndësishme policore në zbatim të një plani kombëtar veprimi ose strategjie të miratuar sipas ligjit;

h) mbikëqyrjen e fondit pyjor kombëtar për parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, të parashikuara me ligj;

i) monitorimin dhe inspektimin e situatës ndërtimore në të gjithë territorin, duke përfshirë zonat me rëndësi kombëtare, monumentet e kulturës, qendrat historike, parqet dhe zonat arkeologjike, zonat e mbrojtura natyrore dhe monumentet natyrore;

j) monitorimin e ecurisë së projekteve strategjike në zhvillim;

k) monitorimin e terminaleve të shkarkimit dhe depozitimit të lëndëve hidrokarbure;

l) monitorimin e burimeve natyrore në sektorin minerar dhe hidrokarbur.

Për misionet e planifikuara, kërkesa për fluturim e mjeteve ajrore pa pilot, duhet të bëhet nga institucionet të paktën dy ditë pune para fillimit të detyrës/misionit dhe, në çdo rast, plotësohet formulari i aplikimit sipas procedurave standarde të veprimit.

Për misionet e paplanifikuara, kërkesa për fluturim e mjeteve ajrore pa pilot bëhet menjëherë para fillimit të detyrës/misionit dhe i dërgohet Qendrës së Bashkuar Operacionale (QBO) të Forcave të Armatosura dhe, në çdo rast, shoqërohet sa më shpejt të jetë e mundur me formularin e aplikimit.

Imazhet filmike, fotografike dhe të dhënat e tjera të përftuara nga sistemi i mjeteve ajrore pa pilot shfaqen në një hapësirë të dedikuar komandim-kontrolli në një nga venddislokimet e Forcave të Armatosura, duke respektuar rregullat e informacionit të klasifikuar dhe të përdorimit të të dhënave personale.

Shpenzimet financiare për përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot në mbështetje të institucioneve të tjera shtetërore mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu