Ministrja e Shëndetësisë dhe dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koҫiu apeloi sot qytetarët të qëndrojnë të qetë, por vigjilentë, të rrisin ndërgjegjësimin dhe të zbatojnë masat mbrojtëse ndaj infeksionit nga virusi i etheve të Nilit Perëndimor.
Infeksioni nga virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nga pickimet e mushkonjave të infektuara.
80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma, ndërsa 20% përjetojnë ethe dhe dhimbje. Vetëm 1% zhvillojnë forma të rënda.
“MSHMS sëbashku me ISHP dhe Operatorin e Kujdesit Shëndetësor ka marrë masat duke kryer procesin e dezinsektimit dhe kryen monitorimin etomologjik periodik në të gjithë vendin”, nënvizoi Koҫiu.
Ajo ndau edhe këshillat e Silva Binos, shefe e Njësisë së Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, e cila apelon për më shumë higjenë nga ana e qytetarëve dhe bizneseve.
“Infeksioni nga virusi i etheve të Nilit Perëndimor zakonisht është pa shenja, pra nuk paraqet shenja tek personat e shëndetshëm dhe të rinj dhe vetëm 20% e tyre mund të paraqesin disa shenja të cilat janë të ngjashme me shenjat e gripit ose mund të shfaqen pika të kuqe në lëkurë”, shprehet Bino.
“Vetëm 1% e këtyre personave dhe zakonisht personat që kanë sëmundje bashkëshoqëruese apo që janë mbi 60 vjeҫ apo që përdorin me shumicë alkool, janë persona që mund të bëjnë prekje të sistmeit nervor qendror si encefalite dhe meningite”, shton ajo.
Pra, nënvizon Bino, “vetëm 1% e personave që shfaqin shenja klinike mund të bëjnë forma të rënda të sëmundjes”.
“Është një sëmundje e cila mund të parandalohet nëpërmjet parandalimit të pickimit të mushkonjave dhe natyrisht procesi i dezinsektimit është një proces që ul shpeshtësinë e kësaj sëmundjeje.
Megjithatë ky process nuk mund t’i zhdukë të gjitha mushkonjat, prandaj është e nevojshme që ҫdo individë të marrë edhe vetë masat paraprake.
Pra nëse rri gjatë mbrëmjes kur këto mushkonja janë më aktive apo herët në mëngjes të përdorë element apo pomadë, apo lëngje të cilat largojnë mushkonjat apo të rrinjë me bluza të lehta me mëngë të gjata”, thekson Bino.
Sigurisht, shton Bino, “ajo ҫka është më e rëndëishme është që ҫdo individ apo ҫdo biznes duhet të pastrojë mbeturinat apo plehrat, të cilat janë përthithës të këtyre mushkonjave.
Pasi sado shumë që ne të bëjmë dezinsektim prania e plehrave dhe prania e mbeturinave favorizon shumimin e mushkonjave.
Prandaj është e rëndësishme që higjiena apo kujdesi personal t’i bashkohen procesit të dezinsektimit”.
MSHMS ndau më herët edhe disa këshillat për Ethet e Nilit Perëndimor.