Shkodër/Vijon zbatimi i planit operacional policor, mbarëkombëtar, të koduar “Fijet”, të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Shkon në 89 numri i kamerave të çmontuara në total, në këtë qark, që nga nisja e operacionit.
Në vijim të këtij operacioni, të zhvilluar në qarkun e Shkodrës, Policia çmontoi në 3 lagje shumë të frekuentuara të qytetit, 10 kamera të tjera. 2 shtetas u vunë në hetim, për vendosjen e tyre në kundërshtim me ligjet e vendit.
Kamerat u çmontuan në lagjet “10 korriku”, “Guerrile” dhe “Ndoc Mazi”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, të iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave në zona me frekuentim të lartë në qytet, kanë vijuar me punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të tyre, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.
Në vijim të këtij operacioni, në lagjet “10 korriku”, “Guerrile” dhe “Ndoc Mazi”, shërbimet e Policisë konstatuan dhe çmontuan 10 kamera, si dhe nisën hetimet në ngarkim të shtetasve R. Z. dhe A. B., për vendosjen e këtyre kamerave në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.