Një tjetër magjistrat është nxjerrë përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar sot (10 qershor) në vetting prokuroren e Shkodrës, Marsida Frashëri.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ishte i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë

Prokurori Klodian Braho, i autorizuar nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani për të përfaqësuar këtë çështje në KPA, tha se u qëndronte gjithë shkaqeve të ankimit dhe kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit për konfirmimin e Frashërit dhe kërkoi shkarkimin e saj për probleme në aspektin profesional, e cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Frashëri e kundërshtoi si të papranueshëm ankimin e Komisionerit Publik duke pretenduar se vendimi për pezullimin e saj nga detyra për një vit dhe dërgimin për trajnim Shkollën e Magjistraturës, ndaj të cilit ngrihen shkaqe, sipas subjektit, është i paankimueshëm.

Në maj të vitit 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi pezullimin e Frashërit për 1 vit nga detyra, me kushtin që të ndiqte programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Vendimi u mor pasi gjatë procesit të vetingut, prokurorja Frashëri u përball me barrë prove për kriterin profesional, lidhur me gjetjet në 27 dosje, kur rezultonte të mos kishte kryer veprime hetimore. Subjekti deklaroi se kishte pasur ngarkesë të lartë në punë.

Por KPA ka vendosur përfundimisht përjashtimin e magjistrates për 15 vitet e ardhshme nga sistemi i drejtësisë.

Gjatë seancës dëgjimore më 10 maj të vitit 2022, u relatua se ndaj prokurores Frashëri ishin zhvilluar 3 hetime disiplinore nga Prokuroria e Përgjithshme dhe se gjetjet e këtyre hetimeve ishin shqyrtuar edhe nga KPK, nga kishin rezultuar gjetur të njëjtat probleme. Njëri prej hetimeve ishte mbyllur me vendimin e uljes në detyrë për 6 muaj në vitin 2014, ndërsa dy të tjerët ishin pushuar për shkak të mungesës së kuadrit ligjor.

Vendimi i KPA-së:

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 49/2023, datë 27.10.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 696, datë 11.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Marsida Frashëri.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:

Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit me nr. 696, datë 11.09.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Marsida Frashëri.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 10.06.2025″.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu