Puka, një nga zonat më të pasura me resurse natyrore dhe një klimë të veçantë në qarkun e Shkodrës, është një destinacion i jashtëzakonshëm që mbetet ende larg potencialit të saj të plotë turistik. Megjithëse kjo qytezë ofron bukuri të paeksploruara dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit, ajo vazhdon të mbetet e privuar nga mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm. Aktualisht, Puka disponon vetëm rreth 160 shtretër për turistët, duke e bërë sfidë akomodimin dhe shërbimin për një fluks në rritje të vizitorëve. Në një intervistë për “newspower.al”, Kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj, ka shpjeguar sfidat e shumta që po has ky rajon. Ai theksoi se problemi kryesor që ka penguar zhvillimin e turizmit është ngadalësimi i procedurave dhe mungesa e reagimit të shpejtë nga institucionet qendrore.
Pavarësisht këtyre vështirësive, Kryebashkiaku shpreson se do të ketë një përshpejtim të procesit të miratimit të projekteve me çeljen e paketës së maleve dhe Puka të mund të shfrytëzojë plotësisht potencialin e saj natyror dhe turistik. Aktualisht prej 1 viti janë 3 kërkesa për resorte që kanë mbetur të bllokuara.
80 km larg Shkodrës, Puka është e pasur me pyje, liqene dhe lumenj, dhe ofron mundësi për ecje malore, turizëm rural, dhe aktivitete të tjera në natyrë.